Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan. FOTO: Screenshot REL.

Deputetja britanike: Në veri të Kosovës u sollën armë nga Serbia me autoambulanca

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, ka deklaruar se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë.

Sipas saj, armët janë transportuar me autoambulanca dhe janë dërguar në kishat ortodokse.

Kearns ka theksuar se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona janë vënë në dijeni për këtë dhe janë përpjekur të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procesi i lejes zgjati shumë. Në momentin kur kishte leje– ndodhi e papritura– një ambulancë veçse kishte shkuar në kishë dhe i kishte nxjerrë jashtë përsëri të gjitha armët”- ka shpjeguar Kearns.

KALLXO.com ka kontaktuar me KFOR-in për të marrë një qëndrim në lidhje me deklaratat e deputetes Kearns.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KFOR ka treguar se janë duke verifikuar dhe do të japin një përgjigje gjithëpërfshirëse sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne jemi duke verifikuar faktet dhe do të japim një përgjigje gjithëpërfshirëse sa më shpejt të jetë e mundur”- kanë thënë shkurt nga KFOR-i.

Deputetja britanike këto deklarata i kishte thënë sot gjatë një diskutimi në kuadër të “Javës së Përkujtimit të Srebrenicës”.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarë të komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe policët, gazetarët dhe qytetarë.