Arrestimi i "Burdushit"

Shtyhet seanca ndaj Burdushit, prokurorja në udhëtim zyrtar

Seanca ndaj Hysri Peqanit i njohur si Burdushi, që akuzohet nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale, është shtyrë për datën 5 gusht.

Prokuroria Speciale të njëjtin e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari Lutfi Shala.

“Kjo seancë ka dështuar për shkak të mungesës së prokurores Merita Bina-Rugova, e cila gjendet në udhëtim zyrtar, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më datën 5 gusht 2021”, ka thënë gjyqtari Shala për KALLXO.com.

Hysri Peqani Burdushi ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas Prokurorisë që nga vitit 2005 kur Hysri Peqani “Burdushi” ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Sipas Prokurorisë Speciale, “Burdushi” ka përfituar shuma të ndryshme duke filluar nga 20 euro e deri në 3,000 euro, në total duke përfituar rreth 1 milion euro.

Po ashtu “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale Burdushi që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar Burdushit edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, “Burdushit” në Gjykatën e Prizrenit i është vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.