Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur

Për shkak se ka ndërruar jetë avokati i njërit prej të akuzuarve është shtyrë seanca e paraparë që të mbahet sot në Gjykatën e Prizrenit.

Ish-zyrtarët komunalë të Prizrenit, Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe zyrtarja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drenusha Behluli-Mehmeti, po përballen me gjyqin për keqpërdorim të detyrës në lidhje me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur.

Aktakuza thotë se të lartcekurit nga viti 2009-2017, gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur” kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për kompaninë përkundër faktit se punimet nuk janë kryer dhe objekti akoma nuk ishte bërë dhe nuk ishte lëshuar për shfrytëzim.

Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit kap vlerën rreth 1 milionë euro.

Në seancën e sotme, e akuzuara Hatixhe Përzhella ka kërkuar që të shtyhet ky gjykim.

“Siç e dini unë deri më tani e kam pasur avokatin Rexhep Hasani, tani i ndjerë. Mbrëmë kam arritur të sigurojë një avokat tjetër por që i njëjti ka kërkuar që në mungesë të shkresave të shtyhet gjykimi i sotëm”-tha e akuzuara Përzhella.

Pas kësaj gjykata mori vendim që seanca e sotme të mos mbahet.

Shqyrtimi i radhës u caktuan për më 8 dhe 9 nëntor dhe më 6 dhe 13 dhjetor 2022.

Prokuroria në Prizren më 16 prill 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të projektit të ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës në Zhur, Almir Saiti, ish-zyrtarëve komunalë të Komunës së Prizrenit Refki Muzbegu, Muhamet Bajrami, Hatixhe Përzhella dhe Drenusha Behluli- Mehmeti zyrtare në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas Prokurorisë Almir Saiti gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, akuzohet se ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Tutje thuhet se Almir Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë.

Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Sipas Prokurorisw edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Por, ndaj Refki Muzbegut, më 1 korrik 2021, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që të hidhet aktakuza dhe të pushohet procedura për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Muhamet Bajrami me 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar ka lejuar ekzekutimin e pagesave  në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë.

Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro.

Drenusha Behluli-Mehmeti, nga Prokuroria akuzohet se gjatw periudhës 3 nëntor 2017  deri më 12 dhjetor 2017 si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, nw fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, ka ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 2.

Prokuroria pretendon se dëmi që i është shkaktuar Komunës së Prizrenit kap vlerën  962,387.95 euro.

Me këto veprime, të akuzuarit po nagrkohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’I lexoni në këtë LINK.