Shtyhet afati për konvertimin e targave ilegale në RKS

Qeveria e Kosovës ka zgjatur deri më 15 dhjetor afatin për regjistrimin e targave ilegale në targa RKS.

Ky vendim është marrë në një mbledhje elektronike të mbajtur sot.

Sipas Qeverisë, ky ndryshim i vendimit ka ardhur si rezultat i kërkesës së madhe dhe interesimit të lartë për regjistrim të automjeteve me targa RKS.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të datës 30 tetor 2023 , duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”- thuhet në njoftim.

Afati paraprak ka qenë deri më 1 dhjetor.

Në fillim të muajit nëntor, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), pati njoftuar se të gjithë personat që kanë automjete me targa ilegale, do të kenë mundësinë të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më 1 dhjetor 2023.

Gjithashtu MPB kishte thënë se është shtuar fluksi i qytetarëve të cilët po i konvertojnë targat në RKS.

Sipas njoftimit, kjo për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lejimin e regjistrimit të veturave nga targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”

Konvertimi i targave po bëhet në Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në katër komunat veriore.

Më 20 nëntor kishte arritur në mbi 2 mijë numri i automjeteve të regjistruara me ‘RKS’, nga targa ilegale sa kanë qenë duke funksionuar deri më tash.

Konvertimi i targave në veri, arrin në mbi 2 mijë regjistrimi i automjeteve me ‘RKS’