Shtatë muaj pas hapjes së tenderit, Vushtrria nënshkruan kontratën për furnizimin e shkollave me dru

121 mijë e 120 euro i ka ndarë Komuna e Vushtrrisë për furnizimin e shkollave të ulëta, të mesme si dhe çerdhes publike,  me mbi tre mijë metra dru.

Tenderi i cili ishte shpallur në maj të vitit 2020, për shkak të ankesave të kompanive në Organin Shqyrtues të Prokurimit ishte zvarritur për muaj të tërë, duke rrezikuar të lë pa ngrohje shkollat e Vushtrrisë.

Tenderi i është dhënë kompanisë e cila ka ofruar çmimin më të ulët, ndërsa ai më i larti kishte qenë 152 mijë e 914 euro.

“ Kontrata ka të bëjë me furnizimin me dru ahu ose bungu për ngrohje, transportin, të shkarkohen nga mjeti transportues, të palohen dhe pastaj të maten, si dhe pas  konstatimit të sasisë të sharriten”, thuhet në përshkrimin e kontratës.

Kontrata e cila është nënshkruar me 25 janar i është dhënë kompanisë, “ AOME” SH.P.K.

KALLXO.com kishte raportuar se për kontratën, “ Furnizimi me dru për ngrohje” në komunën e Vushtrrisë lënda kishte shkuar tre herë në OSHP pas ankesave të kompanive.

‘Tenderi’ rrezikon t`i lë pa ngohje shkollat në Vushtrri