Skandal në Vushtrri - Mësuesi 63 vjeçar akuzohet se ngacmoi seksualisht nxënëset e klasës së 6-të 

Një mësues nga Vushtrria, është suspenduar nga puna pasi i njëjti dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nxënëset e një shkolle të mesme të ulët. 

Komisioni i brendshëm disiplinor i komunës së Vushtrrisë ka vendosur ta suspendoj mësimdhënësin deri në përfundimin e hetimit penal që ka nisur për mësimdhënësin në fjalë.

Kallxo mëson se skandali ka plasur kur nxënësit kanë nisur të bojkotojnë mësimin për shkak të sjelljeve arsimtarit.

Në një shkresë të siguruar nga Kallxo.com potencohet se Prokuroria e Mitrovicës pas kësaj ngjarje ka ngritur antakuzë ndaj arsimtarit, ndërsa pas kësaj shkrese i njëjti është suspenduar nga puna me vendim të komunës.

Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi në një prononcim për Kallxo.com ka konfirmuar suspendimin, ndërsa për detaje ka udhëzuar që informacionet të kërkohen tek komisioni disiplinor.  

Jeton Salihu, nga komisioni disiplinor i Komunës së Vushtrrisë ka konfirmuar se e kanë suspenduar mësimdhënësin.

“Sipas ligjit në fuqi ne e kemi suspenduar me 50 % të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij. Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Mitrovicës se deri ku ka shkuar procesi ndaj këtij mësimdhënësi dhe ata nëpërmjet një shkrese na kanë njoftuar se kanë ngritur aktakuzë dhe ne menjëherë kemi marr masat e suspendimit sepse paraprakisht edhe kemi mbajtur seancat rreth këtij rasti” – ka thënë Salihu për KALLXO.

Ai ka shtuar se mësimdhënësi edhe pas raportimit të këtij rasti ka qenë duke punuar sepse nuk ka pas ndonjë masë nga prokuroria që mos të punojë.

“Po ka qenë duke punuar sepse ne nuk kemi mundur të reagojmë deri sa jemi njoftuar nga prokuroria se cilat veprime janë marr dhe me të pranuar shkresën se është ngritur aktakuza kemi reaguar” – tha Salihu.

Në shkresën që ka siguruar KALLXO.com përshkruhen detajet se si ishte trajtuar ky rast. 

Në shkresën e prokurorisë drejtuar komunës së Vushtrrisë thuhet se ka pasur neglizhim të trajtimit të rastit nga drejtoria e shkollës pasi sipas të intervistuarve të prokurorisë drejtori dhe pedagogia e shkollës kanë qenë të njoftuar nga nxënësit rreth këtij rasti.

“Gjatë hetimeve preliminare po ashtu është vërejtur qartë edhe neglizhenca e drejtorit të kësaj shkolle sepse të gjithë nxënësit e intervistuar kanë deklaruar se ata qysh para orës së dytë të mësimit në muajin tetor 2022, pra rezulton se nga ora e tretë e mësimit ata kanë lëshuar orën e mësimit dhe kjo përkon qysh nga fillimi i muajit tetor 2022 dhe ende vazhdon deri në datën 11.11.2022 kur janë intervistuar të miturit” – thuhet në shkresën e Prokurorisë drejtuar Komunës të cilën e ka siguruar KALLXO. 

Tutje në këtë shkresë thuhet se: “Drejtorit të shkollës e personave tjerë përgjegjës të kësaj shkolle të mos u binte në sy, nxënësit jashtë objektit të shkollës po sillen në oborr apo gjetiu në vend se të jenë në orët e mësimit të kësaj lënde. Ai dhe persona të tjerë përgjegjës kanë qenë në dijeni dhe kanë neglizhuar rastin sepse të gjithë të intervistuarit kanë deklaruar se kanë njoftuar drejtorinë edhe pedagogun e shkollës për sjelljet e mësimdhënësit”.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e shkollës, por ai ka mohuar se ka neglizhuar rastin edhe pse e ka pranuar se rastin në organet e rendit e kanë njoftuar prindërit e jo ai.

“Unë me kohë i kam njoftuar drejtorinë e komunës sa i përket ato që na takojnë neve si shkollë, jo inicimin e rastit në polici nuk e kemi bo ne, e kanë bo prindërit” – tha drejtori i shkollës.

Edhe pedagogia e shkollës e kontaktuar nga KALLX.com ka thënë se nuk e kanë njoftuar rastin, por pretendon se nuk ka qenë në dijeni se ka pasur ngacmime, por ka qenë në dijeni se dy nxënës nuk po e vijojnë mësimin në një lëndë.

“Po nuk e kanë mbajtur mësimin dhe nuk janë duke e mbajtur por bëhet fjalë për dy nxënës, njoftimin në polici ndoshta e kanë bo prindërit nuk jam shumë e njoftume, sepse kur kam ardh në shkollë atë ditë kanë qenë këtu policia dhe prokuroria. Mirëpo nxënësit neve nuk na kanë treguar se ka ngacmime seksuale, por ju kanë tregu prindërve” – tha pedagogia e shkollës.

Salihu, nga komisioni i brendshëm disiplinor i komunë së Vushtrrisë, i cili komision edhe ka vendosur suspendimin e mësimdhënësit ka thanë se është e njoftuar edhe drejtoria e Arsimit lidhur me shkresën e prokurorisë.

“Po drejtoria veç është e njoftuar me ato çka shkruhet në atë shkresë elektronike të prokurorisë se ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti nga ana e drejtorisë së shkollës rreth lajmërimit” – ka potencuar Salihu.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Mitrovicës për të marr një prononcim rreth këtij rasti, por deri në publikimin e këtij shkrimi ata nuk kanë kthyer përgjigje.

(Shënim: Për shkak të ruajtjes së identitetit të nxënësve në këtë tekst, Redaksia e KALLXO.com ka vendosur të mos e bëjë publik emrin e shkollës, po ashtu as emrat e drejtorit dhe pedagoges së shkollës edhe pse kemi kontaktuar me ta.)