Inspektorati i Arsimit: Rasti i 5-vjeçarit përfundon me kthimin në shkollë

Inspektorati i Arsimit ka bërë të ditur se sot janë takuar me zyrtarë nga Drejtoria e Arsimit në Ferizaj për të diskutuar rastin e 5-vjeçarit që u largua nga shkolla për shkak të flokëve të gjata, e për të cilin raportoi KALLXO.com.

Bujar Bajrami nga Zyra e Inspektoratit të Arsimit ka bërë të ditur se tani janë duke përgatitur rekomandimet që 5-vjeçari, E.I të kthehet nesër në shkollë.

“Rekomandimet do t’i japim me shkrim dhe rekomandimi është që nxënësit me ia mundësu që me vazhdu mësimin e rregullt. Ky rast përfundon me kthimin e nxënësit në shkollë” – ka thënë Bajrami.

Tutje, Inspektori ka thënë se “nxënësi fillon mësimin në ora dhjetë, rekomandimi jonë, do të bëjmë përpjekje në maksimum që të shkojë para orës dhjetë me qëllim që nxënësi nesër të fillojë mësimin e rregullt”.

Ndërsa, Bashkim Bytyçi nga DKA-ja në Ferizaj ka thënë se “sot jemi taku me Inspektoratin e Arsimit dhe po presim një vendim. Vendimi për largim është një vendim i pa matur, por kemi marr vendim që me e kthy fëmijën në shkollë”.

Gjithashtu është bërë e ditur se pjesë e rekomandimeve është edhe ndryshimi i rregullores së shkollës.

KALLXO.com ka raportuar më 11 tetor 2022 se një fëmijë 5-vjeçar nuk është lejuar të ndjekë mësimin në shkollën fillore “Jeronim de Rada” për shkak se ka flokë të gjata.

Rregullorja e shkollës thotë se “ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve te djemtë”.

Ferizaj, rregullorja e çuditshme e shkollës që e lë 5-vjeçarin jashtë bankave shkollore