Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë pro testimit të mësimdhënësve

Eranda Kumnova Baçi, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, ka thënë në emisionin “KALLXO Përnime” se po shpresojnë për asistimet e drejtorëve të shkollave në vlerësimet e mësimdhënësve.

“Ne kemi biseduar edhe me drejtorët e shkollave dhe po shpresojmë për asistimet e tyre në orë, për shkak se ata kanë të drejtë vlerësimin për mësimdhënësit. (Vlerësimet) të jenë më të shpeshta” – ka thënë ajo.

Mirëpo, Kumnova Baçi është shprehur se është pro testimit të mësimdhënësve.

“Unë personalisht mendoj se do të ishte mirë një testim i të gjithë mësimdhënësve, po flas për komunën e Gjakovës” – është shprehur ajo duke shtuar se duhen motivuar drejtorët për t’i vlerësuar mësimdhënësit.

“Nuk është që (drejtorët) përtojnë por mendoj që duhet me i motivu për shkak se vlerësimi shkon në të mirë të të gjithëve dhe po besoj që shumë shpejt kemi për të filluar edhe ne të insistojmë te drejtorët e shkollave që të kenë vlerësime më të shpeshta në klasa… Mendoj që deri nga fundi i vitit mund ta bëjmë njëfarë dallimi mes vitit të kaluar dhe fillimvitit të këtij viti me vlerësimet që do të bëhen të drejtorëve në orët e mësimdhënësve” – shtoi ajo.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) vazhdimisht e kundërshtuar idenë për testimin me shkrim të mësimdhënësve të Kosovës, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve pasi që janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.