Pas interesimit të KALLXO.com kompania bën përmirësimin teknik sipas tenderit për pajisjet në tre shkolla të Prishtinës 

Tri shkolla të komunës së Prishtinës në nëntor të vitit të kaluar janë furnizuar me kompjuterë dhe laptop jashtë kritereve të tenderit nga kompania “First Sulution”.

Në vitin 2020 Komuna e Prishtinës nënshkroi tenderin që të pajiste me kompjuterë disa shkolla të saj. Tenderi kishte vlerë prej 200 mijë euro dhe ishte fituar nga grupi operatorëve ekonomikë: INFINITT SH.P.K.; N.T.P. VLORA; First Solution L.L.C.; Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi; Future BITS SH.P.K., përgjegjësia për implementimin e tenderit ishte marrë nga kompania First Solution L.L.C.

Shkollat: “Ali Sokoli”, “Gjin Gazulli”, dhe “7 Shatori” nuk i morën pajisjet sipas specifikave të tenderit me procesorë i7, por kompjuterët e sjellë nga kompania mbartnin procesorët i5, pra ishin ndërruar me dy modele më të vjetra.

Pas interesimit të KALLXO.com, kompania filloi intervenimin në ndërrimin e procesorëve ashtu siç përshkruhej në dosjen e tenderit.

Arsyetimi i kompanisë përgjegjëse ishte se kishte ndodhur lëshim teknik për shkak të fluksit të punëve të fundvitit. Mirëpo “fluksi i punëve të fundvitit” nuk mund të zgjaste mbi dy vite, sepse tenderi ishte kontraktuar në vitin 2020 ndërsa deri në nëntor të viti 2022, pajisjet nuk ishin sjellë në shkollat përkatëse.

Bazuar në përgjigjen e komunës nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj kompanive lidhur me ndërrimin e procesorëve jashtë kritereve të tenderit.

Në kuadër të kontratës “Furnizim me pajisje të Teknologjisë Informative”, të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik që kishte vlerën e përgjithshme 5.4 milionë euro, prej këtij totali 200 mijë euro u ndanë për komunën e Prishtinës, përkatësisht tenderin e lartpërmendur.

KALLXO.com në fillim të janarit kontaktoi kompaninë dhe komunën për mos përfilljen e tenderit, operatori ekonomik pastaj filloi ndërrimin e procesorëve në shkollën “Ali Sokoli”, ndërsa treguan se në shkollën “Gjin Gazulli”, do t’i zëvendësonin gjatë javës.

Tashmë kanë bërë të ditur se në të tri shkollat janë plotësuar specifikat e tenderit.

Kompania u arsyetua se lëshimi ka ndodhur për shkak të fluskit të madh të punëve të fundvitit.

“Duke marrë për bazë fluksin e madh të punëve në fund të vitit që shkoi kanë ndodhur disa lëshime teknike nga ne, në liferimin e pajisjeve sipas kontratës “Furnizim me pajisje të teknologjisë Informative”, me nr. të prokurimit 616 21 139 111”- thuhet në përgjgijien e kompanisë First Sulution.

Ankesa ata kishin pranuar edhe nga shkollat përkatëse.

“Ankesa kemi pas nga shkollat : SHML Gjin Gazulli dhe nga Shkolla SHML Ali Sokoli, të cilat menjëherë pas festave kemi reaguar dhe i kemi përmisuar gabimet teknike, duke i plotësuar 100% sipas kontratës me nr. të prokurimit 616 21 139 111”- bën të ditur operatori ekonomik.

Gjithashtu edhe Drejtoria e Arsimit e ka pranuar arsyetimin e kompanisë se problemi ishte lëshim teknik i paqëllimshëm.

“Në projektin në fjalë janë liferuar PC dhe laptop, dhe vetëm në shkollën Gjin Gazulli, Ali Sokoli, dhe 1 copë në shkollën 7 shtatori kanë rezultuar të jenë me procesorë i5, menjëherë pasi kemi marrë informatën kemi reaguar, kemi kontaktuar operatorin Ekonomik – Konservimin : “ NTP Vlora, Inffinit SHPK, First Solution L.L.C. NTG Blendi, Future Bits SHPK”, dhe se bashku kemi dal në vizitë në këto shkolla, për të evidentuar problemet teknike”- bën të ditur DKA.

Pajisjet kanë garancion tre vite, kompania tha se është e gatshme të përgjigjet në afat kohor të paraparë me kontratë, për çdo problem eventual të laptopëve dhe kompjuterëve.

Sipas Drejtorisë së Arsimit problemi është zgjidhur me përmirësimin teknik të procesorëve, ndërsa nuk është përmendur që do të ndërmerret ndonjë masë ndaj operatorëve ekonomik të përfshirë në tender.