Dyshohet se ngacmoi një nxënëse të mitur, pezullohet nga puna mësimdhënësi në Prizren – rasti po hetohet në Prokurori

Një nxënëse e mitur dyshohet se është ngacmuar seksualisht nga një mësimdhënës në Prizren.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 24 prill dhe ka më shumë se dy muaj që po trajtohet dhe hetohet edhe nga Policia, dhe Prokuroria.

Për rastin është e njoftuar edhe drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj, e cila ka thënë se e kanë dërguar rastin në komision disiplinor dhe ky komision ka marrë vendim për ta pezulluar përkohësisht mësimdhënësin.

Vendimi i komisionit disiplinor është marrë më datë 26 maj, deri kur edhe kishte vazhduar ta ushtrojë profesionin e tij mësimdhënësi.

Nga Komisioni kanë thënë se vendimi i pezullimit është deri në marrjen e vendimit përfundimtar dhe nuk i cenohet e drejta e pagës, ai e merr pagën e plotë.

“Për çdo person, i cili mund të tentoj ose tenton të bëj një vepër të tillë, sigurisht që kanë me u marrë masa dhe zero tolerancë ndaj tyre, kushdo që të jetë” – ka thënë në një përgjigje me telefon, Gutaj.

Në anën tjetër, Policia në Prizren, e kanë konfirmuar se është paraqitur një rast i tillë dhe kanë kërkuar që për më shumë të pyetet Prokuroria Themelore në Prizren.

“Po është raportuar një rast i tillë, rasti është nën hetime në sektorin përgjegjës për hetimin e veprave të tilla, bazuar në kompetencën lëndore” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Për shkak se viktima është e mitur, Fitore Mehmeti, zyrtare për informim e Prokurorisë në Prizren nuk ka ndarë më shumë informata lidhur me zhvillimet e rastit.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren… Rasti është duke u trajtuar në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual” nga neni 183, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)” – ka shkruar në përgjigjen e saj, Mehmeti.

Denoncimi i rastit fillimisht ishte bërë në drejtori të shkollës përmes psikologes dhe prindërve të nxënëses, pasi sipas drejtorit, nxënësit shqetësimet e tyre më shumë i bartin te psikologia.

Atyre iu është dashur t’i bindin prindërit që ta raportojnë rastin në Polici dhe si rezultat e kanë raportuar më 4 maj.

Më tej, drejtori ka treguar se si ka ndikuar kjo ngjarje te nxënësja, mirëpo është deklaruar se ajo është duke e vazhduar shkollimin e rregullt me përkrahjen e psikologes dhe prindërve.

“Ka ndiku në mënyrë emocionale, emotivisht ka ndiku, po tek prindi sepse reagimet e tyre kanë qenë do të thotë mjaft të ashpra, por në bashkëbisedim e sipër me mua edhe me drejtorinë e shkollës, do të thotë me zëvendësin edhe me psikologen kemi arritë domethënë ta qetësojmë këtë situatë edhe ta tejkalojmë, përndryshe do të thotë nga një grup nxënësish kjo edhe është kuptuar” – ka thënë ai.

Për rastin është njoftuar edhe Këshilli Drejtues i Shkollës, të cilit më pas i është kumtuar edhe vendimi i komisionit.

“Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë qenë të gjithë unanim që ky mësimdhënës të largohet nga procesi edukativ-arsimor menjëherë dhe mos të ketë më raste të këtilla, të cilat realisht dëmtojnë imazhin edhe të shkollës, por prekin ndjenjat psikologjike, emotive, emocionale të fëmijëve të cilat munden me i kushtu gjatë tërë jetës” – është shprehur drejtori.

Drejtori ka thënë se nuk ka pasur probleme me mësimdhënësin dhe se gjatë bashkëbisedimeve me të për rastin, mësimdhënësi ishte munduar t’i jap konotacion të dhunës fizike, jo të ngacmimit.

KALLXO.com ka kontaktuar mësimdhënësin e dyshuar. Ai e ka mohuar se e ka ngacmuar seksualisht nxënësen, duke e konsideruar këtë si shpifje.

“S’është e vërtetë, shpifje është. Jo, jo nuk është e vërtetë. Ditën e mirë…” – ka thënë ai në telefon dhe e ka mbyllur atë.

Në bazë të të dhënave të shkollës, mësimdhënësi në fjalë kishte filluar të punojë në këtë shkollë nga viti 2020, më 7 dhjetor.

Ndërsa, më datë 22 dhjetor 2022, ai kishte pasur një vërejtje me gojë nga drejtoria e shkollës, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi të mitur.

Si përfundim, KALLXO.com merr vesh se i dyshuari edhe në të kaluarën ishte transferuar nga njëra shkollë në tjetrën, për shkak të dyshimit për dhunë fizike ndaj nxënësve.

(Shënim: Emri i Shkollës, drejtorit dhe zyrtarëve tjerë nuk është përmendur në shkrim për ta shmangur mundësinë që të zbulohet identiteti i nxënëses së mitur)