'Tenderi' rrezikon t`i lë pa ngohje shkollat në Vushtrri

Kanë kaluar më se gjashtë muaj që kur Komuna e Vushtrrisë ka hapur tender për “furnizim me dru për ngrohje” për shkollat fillore, të mesme dhe për çerdhen publike, “Foleja”.

Por ende shkollat e qytetit më të vjetër, nuk janë furnizuar me dru për ngrohje për vitin e ri shkollor.

Kontrata, “Furnizim me dru për ngrohje” ishte hapur më 20 maj të këtij viti, ndërsa afati i fundit për aplikim kishte qenë 29 qershor 2020.

Për 3 mijë e 28 metra dru Komuna e Vushtrrisë ka ndarë rreth 134 mijë euro.

Milazim Hyseni, drejtor i shkollës fillore dhe të mesme të ulët, “Ali Kelmendi” në Vushtrri tha për KALLXO.com se në vitet paraprake furnizimi më lëndë për ngrohje është bërë në muajin korrik.

“Jo ende, por kemi rezervë. Por jo furnizimi nuk është bërë, vitet tjera jemi furnizu në korrik ose në fillim të vitit shkollor”, tha ai.

Drejtoresha e shkollës, “Anton Zako Çajupi”  në Vushtrri, Afërdita Beka- Aliu ka theksuar se nuk kanë ndonjë informatë zyrtare dhe se janë duke pritur furnizimin me dru.

“ Jo ende. Nuk kemi ndonjë informatë zyrtare jemi t`u prit me u bo furnizimi. Viteve tjera në gusht është bërë furnizim”, tha ajo për KALLXO.com.

Astrit Izmaku, drejtor i shkollës “SHFMU Nadakovc” në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë tha për KALLXO.com se përkundër mungesës së furnizimit, ata nuk kanë nevojë për dru.

“Këtë vit jo, po kemi dru. Diku kah gushti-shtatori qaty diku është bërë furnizimi. Kemi marrë një përgjigje nga DKA, por unë nuk kam nevojë për dru edhe një kohë”, shtoi Izmaku.

Që  nga shpallja e tenderit dy kompanitë, “BUSHGEGU 89” dhe “AOME SH.P.K”  kishin deponuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në të dy rastet ky organ e kishte rikthyer  në rivlerësim lëndën.

Më 13 nëntor OSHP kishte rikthyer përsëri lëndën në rivlerësim, ndërsa tash i mbetet Komunës së Vushtrrisë të bëjë atë.

Nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri kanë hedhur fajin tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Në një përgjigje për KALLXO.com drejtori i DKA-së, Afrim Namani ka thënë se shkollat mund të rrezikojnë të mbesin pa dru, por që sipas tij ato kanë ende rezerva.

“Sot komisioni prapë për herë të tretë kanë hy në vlerësim, sepse OSHP-ja e ka rikthy përsëri. Herën e parë, komisioni vlerësues e kanë shpallur fitues atë që sipas tyre i ka plotësuar kushtet dhe ka qenë tenderi me i lirë. U anku operatori tjetër, OSHP-ja e ka rikthy në rivlerësim. Përsëri tjetri është anku. Na nesër mundemi me rreziku me mbet shkollat pa dru, por fati që shkollat kanë pas rezerva”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se kanë kërkuar edhe përshpejtim të procedurave nga OSHP, por që nuk është marrë parasysh.

“OSHP nuk po ngutet, diku në gusht si procedurë ka përfunduar dhe është shpallur fituesi, ne jemi në rregull me afatin e procedurave. Po pësojmë na. Edhe kanë kërku me urgjencë i kanë shkru OSHP-së sa herë që mundësisht me marrë një vendim që janë pyetje për shkolla”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në OSHP në lidhje me procedurat e përshpejtimit dhe a është marrë parasysh kërkesa e Komunës së Vushtrrisë por që të njëjtit i janë referuar vetëm vendimeve në faqen zyrtare.