Shtatë dronë të rinj për policinë e për IPK-në

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë pranuar sot një donacion prej shtatë dronëve.

Në konferencës e pranim-dorëzimit të dronëve kanë marrë pjesë personalitete shtetërorë e ndërkombëtare.

Donacioni në fjalë është projekt i përbashkët ndërmjet INL- DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,  kolonel Gazmend Hoxha tha se në emër të policisë falënderon ambasadorin amerikan e të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë.

“Kanë qenë një nga mbështetësit kryesor për policinë dhe për shtetin. E vlerësojmë shumë këtë mbështetje” – tha Hoxha.

Tutje ai shtoi se vlerëson mbështetjen e ambasadës amerikane sidomos gjatë ditëve të fundit, që ishin të rënda pas rënies në detyrë të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Ambasadori ka qenë një mbështetje shumë e madhe, ka qenë në çdo ceremoni të organizuar” – ka thënë drejtori i PK-së.

Tutje Hoxha tha se në donacioni në fjalë është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i çmuar për PK-në.

“Do të ndikojnë pozitivisht në kapacitetin e policisë për të menaxhuar situata. Do të ndihmojnë në monitorimin e kufirit, po ashtu edhe në zhvillimin e aksioneve” – tha drejtori.

Ai tutje shtoi se dronët janë përcjellë dhe selektuar nga ekspertët e policisë dhe nga ekspertët e donatorëve.

“Mund të garantoj që policia gjithë këto donacione do të përdorën në mënyrën më të mirë që caktohen me ligj. Do të respektohet çdo rregullore që është ne fuqi për përdorim të dronëve” – tha Hoxha.

Tutje ai foli edhe për policinë si organizatë që gëzon reputacion të lartë brenda Kosovës por edhe nga bashkëpunëtorët e jashtëm.

“Nga një hulumtim qe është bërë tash së fundmi jemi institucioni më i besueshëm nga qytetarët e Kosovës. Policia e Kosovës dëshiron që këtë reputacion ta ruaj për të ardhmen” – tha drejtori i policisë teksa shtoi se nuk është e lehtë të arrihet kjo.

“Policia duhet dhe po përdor parime demokratike të botës bashkëkohore, mbi të cilat edhe është ndërtuar si organizatë” – tha Hoxha.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier u shpreh i kënaqur me ngarjen e sotme.

“Këta dronë do të sigurojnë mbikëqyrje dhe do të ofrojnë mbështetje taktike për misione policore” – tha ambasadori teksa shtoi se dronë në fjalë mund të monitorojnë zonë të ndjeshme dhe të larta.

“Do të mbledhin dëshmi përmes regjistrimit të pamjeve që do të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve. Me këtë donacion do të rritet edhe siguria publike” – tha Hovenier.

Tutje ambasadori shtoi se këta dronë mund të dislokohen shumë më shpejtë në ndonjë rast emergjence, e se në Amerikë konsiderohen si pajisje që shpëtojnë jetë.

“Në ShBA autoritetet policore përdorin sisteme të ngjashme për të menaxhuar situata të rrezikshme” – tha ambasadori amerikan.

Ai tutje shtoi se një donacion reflekton e pasqyron edhe më tej angazhimin e tyre afatgjatë për zhvillimin e policisë edhe IPK-së.

“Dua të njoftoj se gjatë 5 viteve të fundit kemi ofruar më shumë se 20 milionë dollarë në formë të ndihmës, trajnimeve, donacioneve dhe pajisjeve për organet e sigurisë në Kosovë” – tha Hovenier.

Ndërsa kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj  tha se si Inspektoria po mundohen të tregohen të përkushtuar që së bashku me partnerët të mbajmë lartë nivelin e standardeve në Policinë e Kosovës.

“Rastet e fundit në veri treguan nevojën që sa është e domosdoshme që policët të jenë në nivel të lartë profesional dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi për të evituar çdo lloj situatë që kërcënon sigurinë në Kosovë” – tha ai.

Hodaj shtoi tutje se beson që ky partneritet do të zhvillohet edhe më tej.