(Foto ilustrim)

Shqipëri, arrestohet shtetasi i Kosovës, dyshohet për vrasje të mbetur në tentativë të dy shtetasve shqiptarë

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë arrestuar tre persona, një prej tyre shtetas i Kosovës.

Në njoftim thuhet se shtetasi kosovar, M.M, 37-vjeç, dyshohet për veprat penale – vrasje me dashje e mbetur në tentativë, dhe – shkatërrim prone, kurse dy të dyshuarit tjerë  N. S., 61-vjeç dhe K. R. 52-vjeç, banues në Lezhë, po dyshohen për veprat penale – plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim.

Policia thotë se dje rreth orës 18:30, shtetasi kosovar M.M, në ambientet e një pompe karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, pas një konflikti të çastit i ka goditur fillimisht fizikisht dy shtetasit shqiptarë, N.S. dhe K.R., dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që t’i përplasë duke ua rrezikuar jetën.

“Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, shtetasi kosovar M. M. pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me dy shtetasit shqiptarë N. S. dhe K. R. (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që ti përplasë duke u rrezikuar jetën. Si pasojë e tentativa me automjet, shtetasi M. M. është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar”- thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, në vijim të konfliktit, dy punonjësit e pompës së karburantit e kanë goditur M M. me mjete të forta në trup (shkopinj), duke i shkaktuar dëmtime fizike, dhe aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Në spital për ndihmë mjekësore Policia raporton se ndodhet edhe N.S., i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.