Foto: Antigonë Isufi/BIRN

'Shpresa', shpresë për parandalimin e martesave të hershme

Përmes protagonistes së quajtur Shpresë, filmi ‘Romni’ vë në pah shpresën për parandalimin e martesave të hershme tek vajzat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Romni është film i shkurtër i realizuar në Kosovë, histori që shpalos jetën e Shpresës, vajzës rome e cila ikë nga martesa e hershme për të ndjekur ëndrrat e saj. E vënë përballë një martese të hershme dhe të detyrueshme, Shpresa, ditën e martesës ikë nga shtëpia e saj vetëm e vetëm që mos ta jetoj fatin e bashkëmoshtareve të saj.

Përmes këtij filmi tregohet se si bëhen ‘pazaret’ për martesave të vajzave, kushtet ekonomike- sociale në të cilën gjenden këto familje, dëshpërimin në sytë e nënës që duhet ta martoj vajzën e vogël për ta shpëtuar nga varfëria – nënë e cila nuk është në dijeni për të drejtat që i takojnë. Për ta përmbushur mozaikun e ikjes nga një martesë të cilën nuk guxon ta refuzoj me fjalë, më së miri e shpërfaq Shpresa e cila për ta shprehur paknaqësinë i pren flokët e saj.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Kjo problematikë është eksperimentuar në dokumentarin “Si një grua e vërtetë”, i cili sjellë rrëfimet e aktivistëve të komuniteteve për ballafaqimin me martesat e hershme, luftën për ta eliminuar një dukuri të tillë.

Ky film u shfaq në Kino Armata në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në kuadër të “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” në kino “Armata” me mbështetjen e UNMIK-ut.

‘Si një grua e vërtetë’ në duar të aktivizmit

Aktivistja për të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, Sadete Nanoja- Gashnjani e cila ka qenë protagoniste e dokumentarit në një panel diskutimi të organizuar pas shfaqjes së filmit, potencoi se kur ka qenë fëmijë ka pasur shumë probleme me prindërit e saj veç pse në mënyrë kategorike e ka refuzuar martesën në moshën 14 vjeçare.

“Prindërit mendojnë që ne duhet të martohemi herët edhe të bëjmë një familje tonë. Unë i kam thënë prindërve të mi që nëse martohem në moshën 14 vjeçare nuk mundem ta bëjë një familje si dua unë, se jam shumë e re”, tha ajo.

“Nëse martohemi aq të reja na bëhemi punëtore në shtëpi të burrit, të qëndrojmë në këmbë natë e ditë. Si me lind një vajzë në moshën 14 vjeçare kur je fëmijë”. 

Vajzat rome, ashkalike dhe egjiptiane në Kosovë janë më shpesh subjekt i martesave të hershme në krahasim me burrat në komunitetet e tyre dhe vajzat nga komunitetet e tjera.

Foto: Antigonë Isufi/BIRN

dhënat e organizatës botërore për fëmijët “Save the Children” tregojnë se rreth 12% e vajzave nga këto komunitete martohen para moshës 15 vjeçare, krahasuar me vetëm 1% të djemve nga këto komunitete dhe më pak se 1% e vajzave nga komunitetet e tjera që martohen para kësaj moshe. 

Shpresa Agushi nga Rrjeti i Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane theksoi që kur një vajzë e braktis shkollën dhe martohet, ajo do të jetë një grua e pashkolluar e cila do jetë e varur, e pafuqizuar ekonomikisht dhe do t’i shkelen të drejtat e saj të cilat ajo as nuk i njeh.

“Ne kemi punuar që këto gra të jenë pjesë e zërit të tyre. Ne me vite flasim në emër të tyre dhe do të vazhdojmë të flasim në emër të tyre, por do të jemi shumë më të forta nëse flasim të gjitha së bashku. Ato duhet të kenë forcën të flasin për veten”, tha ajo.

Zëvendës përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm e UNMIK-ut në Kosovë, Beri Friman, e cila u shpreh se pandemia COVID-19 ka ndikuar që në gjithë botën për 10% të rriten martesat e hershme.

Ndërsa, Driton Berisha nga Fondi për Arsimin e Romëve, potencoi që nëse i pyet prindërit e fëmijëve të komuniteteve, shumë prej tyre duan të shohin djalin si person që e përkrah familjen me punën që bën. 

“Poashtu kur flasin për vajzën duan te konsiderojnë si partnere të burrit ku po ashtu kontribon edhe financiarisht tek familja” thotë ai.

Por, sipas tij për të dy gjinitë ka mungesë të punsuarve që të jenë shembuj për shpresë.

Muhamet Arifi, drejtor i organizatës The Balkan Sunflower, fajin për martesat e hershme ia lë shtetit të Kosovës i cili sipas tij nuk po i punëson të rinjtë e komuniteteve dhe ata po detyrohen të martohen ose të migrojnë jashtë vendit.

“Institucionet  duhet të t’i burgosin ata që e dhunojnë një 14 vjeçare, të cilën e ka detyruar të lind fëmijë. Tjerët kur te shohin që dikush u burgos për këtë çështje, e shohin që për këtë krim i pret burgu”, tha ai.

Ai inkurajoi te gjitha misionet e jashtme në Kosovë, UNMIK-un, OSBE-në që të punësojnë qytetarë të komuniteteve, sepse sipas tij përpos institucioneve as misionet nuk po i marrin në punë këta qytetarë.

Këtë sfidë e pranoi Shefja e Misionit Mbështetës të UNMIK-ut në Kosovë, Sandi Arnold  i kërkoi Arifit që t’ia gjej studentët më të mirë që t’i marrë për punë praktike në zyrën e saj.