Ergjan Mehmeti në skenë. FOTO: Ergjan Mehmeti, Facebook.

Historia e Ergjanit

Ergjan Mehmeti nga komuna e Shtimes është aktori i parë i komunitetit ashkali që ka përfunduar studimet për aktrim në Universitetin e Prishtinës.

Dëshira për teatrin, muzikën, artin e aktrimin kanë qenë pasione të kamotshme që e kanë shoqëruar këtë të ri.

Kësisoj, ai zgjodhi Fakultetin e Arteve në Prishtinë si pikënisje për t’i brymosur dhe për t’iu dhënë kahje pasioneve dhe potencialit të tij.

Për Ergjanin, ky fakultet u bë shtëpia e tij e dytë ku profesorët dhe kolegët i dhanë atij hapat e parë drejt skenës së teatrit, njëkohësisht ky vend i ofroi atij hapësirën për tu ndier i mirëpritur për talentin e tij e jo për ngjyrën e lëkurës.

Mirëpo, rrugëtimi i Ergjanit deri këtu nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.

Aktori rrëfen se gjatë fëmijërisë së tij e kanë përcjellë edhe fjalët ofenduese dhe bullizmi.

“E mbaj mend për shembull kur kam qenë në parashkollor, edhe i mbaj mend dy shoqe që i kam pasur me ngjyrë të bardhë dhe unë kam qenë i zi, por me shtëpia kemi qenë bashkë dhe kemi luajtur bashkë, edhe e mbaj mend për shembull në shkollë kur iu kanë thënë ‘mos rri me Ergjanin se ai është ma….’ ose me fjalë pezhorative”- rrëfen Mehmeti për KALLXO.com

Ergjan Mehmeti. FOTO: KALLXO.com

Pavarësisht se këto fjalë e kishin bërë të ndihej keq, ai jo gjithmonë kishte hasur në mirëkuptim dhe përkrahje.

“Normal që jam ndier tepër keq. Edhe i kam tregu shtëpisë time, prindërve të mi, por ata gjithmonë më kanë motivu, më kanë thënë hajt se nuk është kurgjo. Ajo veç ka vazhdu edhe në klasën e parë, klasën e dytë, edhe pavarësisht që kam qenë nxënës i mirë, kam mësuar e të gjitha, por për shembull veç kur më kanë ofendu shokët e klasës i tregoja mësuesit, mësuesi thojke ‘Hajt se s’ka gajle’”.

Mehmeti shpjegon se gjatë fëmijërisë nuk kanë munguar as rastet kur ai është sulmuar fizikisht në shkollë, ku si pasojë ai nuk është ndier i lirë që të ec korridoreve të shkollës.

“Atëherë unë nuk kam ditë qysh me reagu, nuk i kam pas qeto mend që i kam sot se kam qenë fëmijë….Për shembull gjatë pushimit të gjatë kurrë nuk kam shku në tualet. Çdo herë nëse kam shku më ka nguc dikush ose më ka rreh, nuk i di arsyet. Çdo herë përdorimin e tualetit unë e kam bërë gjatë orës kur e kam pyet mësues për me shku”-shprehet ai.

Asokohe, kjo gjendje e kishte shtyrë Ergjanin që t’iu ndihmojë fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që kanë ngecje në shkrim-lexim dhe probleme të ndryshme.

Kësisoj, ai synonte që sa do pak të ndizte një fije shprese dhe t’iu jepte motiv atyre fëmijëve që të mos përjetojnë të njëjtat eksperienca si ai.

Pavarësisht këtyre sfidave, një rrugë e re dhe pa paragjykime për Egjanin filloi në fakultetin e Arteve në UP, ku në mesin e kolegëve, studentëve dhe profesorëve ai gjeti ngrohtësi dhe një ambient të hapur për të gjithë pa dallime.

“Pak a shumë ndiem i privilegjuar, ndihem krenar pak a shumë që e kam thyer akullin. Edhe shumica e të rinjve të komunitetin kur e shohin intervistën time ose kur më shohin nëpër media thonë që ‘okej’ edhe unë po mundkam të vijë në Fakultet të Arteve me studiu aktrim. Kështu që përnjëmend mund të them që jeta ime e dytë ka fillu në Fakultet të Arteve sepse këtu ka ngrohtësi”- shprehet ai.

Ergjan Mehmeti në skenë. FOTO: Ergjan mehmeti, Facebook.

Se çdo student duhet të jetë i mirëpritur në fakultet pavarësisht etnisë së tyre e pohon edhe Mentor Zymberaj, profesor në Fakultetin e Arteve, i cili ka qenë edhe profesor i Ergjanit.

“Ne jemi shoqëri e hapur, jemi shoqëri e të gjithë popujve, të gjitha kulturave, të gjitha civilizimeve, gjë që është shumë e mirë. Prandaj, edhe trajnimi i aktorëve dhe studentëve në Fakultetin e Arteve kryesisht e ka këtë qëllim, këtë bazë. Prandaj këtu vlerësimet jepen njëjtë për të gjithë studentët varësisht sa ai punon pa asnjë privilegj ose pa asnjë dëmtim ndaj dikujt”- shprehet profesori.

Mentor Zymberaj, profesor në Fakultetin e Arteve në UP. FOTO: KALLXO.com

Në anën tjetër, Ergjani e përmbyll rrëfimin e tij me një mesazh për të gjithë të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që mund të përballen me sfida gjatë rrugëtimit të tyre.

“Mesazhi im kryesor është që të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian mos t’i dëgjojnë fjalët, ofendimet. Le të vazhdojnë si unë, t’i ndjekin ëndrrat e tyre, me vazhdu me punu, me u shkollu sepse pa u shkollu nuk ka një të ardhme. Kështu që, nuk është zgjidhje nëse na ofendon dikush ose na diskriminon dikush, ne me u dorëzu edhe me mbet aty për ta braktisur shkollën ose në rend të parë mi pa martesën ose punën”-përmbyll ai.