Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Partitë e komuniteteve boshnjak e rom pritet të ankohen në PZAP

Partitë e komuniteteve boshnjak e rom, pritet të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në institucione tjera, për siç thonë manipulim votash nga Lista Serbe, në përkrahje të Iniciativës së Adriana Hoxhiqit dhe partisë Romani Iniciativa. Drejtues të partive të komuniteteve thonë se do të kërkojnë anulimin e votave, por jo edhe përsëritjen e votimit.

Pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, partitë e komunitetit boshnjak, atij rom dhe komuniteteve tjera, pritet të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe institucione tjera të parapara me ligj, në lidhje me pretendimet për manipulim votash nga Lista Serbe, në përkrahje të Iniciativës së Adriana Hoxhiqit, e partisë Romani Iniciativa.

Kryetarja e partisë boshnjake, Bashkimi Social Demokratik, Duda Balje, ka treguar për Radio Kosovën se do të ankohen për, siç thotë ajo, krimin në politikë që ka bërë Lista Serbe, duke përkrahur partitë minoritare.

“Unë mendoj se ne do të kërkojmë anulimin e mandateve, sepse, të përsëriten zgjedhjet është pak vështirë. Duhet anuluar votat, për të parë se si janë dhënë votat. Ku e qysh? Ne do të kërkojmë anulimin e mandateve, sepse, ata kanë provuar dhe kanë pasur sukses në mashtrim”, tha Balje për Radio Kosovën.

Njëjtë si ish deputetja Duda Balje, edhe Erxhan Galushi nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, tregon se do të ankohen dhe janë për anulim votash, por jo edhe për përsëritje të votimeve.

“Nuk bëhet asesi fjalë për përsëritje të votimit, sepse kjo është bërë me qëllim dhe duhet të anulohet komplet procesi i votave, tërësisht të dyshuara në ato pjesë, për komunitetet pakicë, si për shembull për Romani Iniciativën dhe partitë e komunitetit boshnjak e goran, të cilat tashmë janë të kontrolluara nga Lista Serbe”, tha Galushi.

Bazuar në rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Iniciativa e Adriana Hoxhiqit pritet të marrë 3 vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak, ndërsa Romani Iniciativa ka gjasa të fitojë dy ulëse në Kuvend, duke lënë pa asnjë përfaqësues partitë tjera boshnjake e rome. RTK