Shpërthimi me granat dore në veri. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Shpërthimi në veri, Policia identifikon dy persona me interes për intervistim

Dy persona mbetën të lënduar nga shpërthimi i një granate të dorës që ndodhi mbrëmë në Mitrovicën e Veriut.

Nga shpërthimi që ndodhi shtatë veturave që ishin në atë zonë iu shkaktuan dëme materiale. Në njërën prej tyre u panë edhe njolla gjaku.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës- Veri, Veton Elshani, ka thënë se lidhur me rastin deri më tani janë identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim.

Elshani tha se të njëjtit janë kërkuar në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur aty.

“Njësiti i Hetimeve Rajonale Mitrovica-Veri ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë i ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim” – tha Elshani.

Shpërthimi dyshohet se nuk është çështje politike, por qërim i hesapeve mes personave të përfshirë.

Mjeti shpërthyes që u gjuajt mbrëmë u tha se ishte “M75”, granatë dore e prodhimit jugosllav/serb.

Granata të tilla prodhohen gjerësisht në vendet e ish-Jugosllavisë, e të tilla ishin gjetur edhe në shtator të 2023-ës në Banjskë të Zveçanit.

Në mesin e arsenalit të armëve që kishte konfiskuar Policia e Kosovës pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator ishin dhjetëra mjete  të tilla shpërthyese.

Asokohe BIRN kishte bërë një hulumtim mbi armatimin që ishte gjetur në afërsi të manastirit të Banjskës në Zveçan.

Ekspertët ushtarakë të Kosovë, të cilët folën në kushte anonimiteti kishin shpjeguar në detaje se si përdoren e ku prodhohen armët që u gjetën nga Policia.

Njëri nga ta kishte shpjeguar edhe fuqinë që ka një granat dore e llojit që u gjuajt mbrëmë në Mitrovicë të Veriut.

Eksperti kishte thënë se një granat e tillë ka në vete 33 gramë eksploziv me 3 mijë copëza të vogla.

Ai kishte shpjeguar se distanca vrasëse e këtij mjeti shpërthyes shkon deri në 15 metra.

Po ashtu, sipas ekspertit, vonesa e shpërthimit pas aktivizimit të një granate të tillë nuk zgjat më shumë se 4 sekonda.

Armatimi që u gjetë në Banjskë të Zveçanit.

Krejt çka dihet deri më tani për shpërthimin e mbrëmshëm në veri

Tre persona që dolën nga një lokal afër Shkollës Teknike, vendi ku edhe shpërtheu granat, po dyshohet se ishin cak i këtij sulmi, rast i cili u iniciua nga ana e Policisë si “Vrasje në tentativë” e “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani i ka thënë KALLXO.com se e gjithë ngjarja u zhvillua pak para se të shënonte mesnata, diku rreth orës 23:45.

Hetimet e para policore tregojnë se ky rast nuk është çështje politike, e po ashtu ai konfirmoi se dy të lënduarit janë të nacionalitetit serb.

Elshani tregoi se tre personat në fjalë me të dalë nga lokali, derisa ishin duke hyrë brenda veturës janë sulmuar me një granatë dore.

Deri më tani nuk dihet nëse ka qenë një apo më shumë persona të dyshuar që kanë kryer aktin, e të njëjtit ende nuk janë identifikuar nga Policia.

Elshani tha për KALLXO.com se “Kjo çështje nuk është politike mund të jetë për qërim hesapesh, borxhe, apo vepra të tjera por jo politike”.

Madje, ai tregoi se rasti është duke u hetuar tashmë disa pista.

Zëvendësdrejtori tregoi se njëri nga të lënduarit ka qenë i plagosur në një rast tjetër edhe vitin e kaluar.

Tutje ai përmendi edhe faktin se njëri nga viktimat që ka marrë lëndime më të rënda, pritet që të transferohet për trajtim në Spitalin e Beogradit.

Tek shtatë veturat që u dëmtuan në lokacionin ku shpërtheu granata, siç ka parë ekipi i KALLXO.com dëmet kanë qenë xhama të thyer, goma të shpërthyera e gërvishtje të tjera të cilat janë evidentuar në raportet policore forenzike.