Shpërngulja e banorëve shqiptarë të Leposaviqit si shkak i rrugëve të paasfaltuara (VIDEO)

Banorët shqiptarë të Bistricës së Shalës dhe Koshtovës së Vllahisë në Mitrovicën e Veriut, janë në hall me rrugën e paasfaltuar.

 

 

Ata thonë se si shkak i kësaj, shumë qytetarë janë shpërngulur.

Sot sipas Eshref Bekteshit nga Koshtova e Vllahisë të banueshme janë vetëm 8 shtëpi në këtë fshat.

“Jo, tash ka shumë më pak, më papara janë kanë 30-40 shtëpi tash jena 7-8 shtëpi, më shumë nuk ka”.

Bekteshi thotë se problem e kanë edhe transportin e udhëtarëve.

“Po me rrugë kemi problem më së shumti, vetëm ka jeni ardhë ju është një rrugë pak. Bistrica nuk kanë asfalt, Ceraja ashtu. Më së keqi për një kombi- autobus jemi, deri në Mitrovicë 25 kilometra i ka, atje duhet me shku për gjithçka, për obligime jetësore, jemi më së keqi për një kombi dhe një rrugë”,

Edhe Shefit Behrami nga Bistrica e Shalës ankesë ka rrugën me gropa

Ai thotë se kjo ka ndikuar edhe në uljen e numrit të nxënëseve në shkollën e fshatit

“Shkolla përpara ka pas 300 e diçka nxënës e sot i ka 18 -19. Janë shpërngul, rrugë jo, me u interesu kush për neve jo, edhe janë shpërngul. Problem më të madh se kjo rrugë nuk ka, me lloq me gurë, për faqe të zezë”,

72 vjeçari thotë se pavarësisht kushteve në fshat ai nuk e ka ndërmend të largohet nga aty.

“Unë nuk e kam njet me u shpërngul prej këtu. I gjallë jo, këtu më ka vdekë gjyshi, baba, tanë, pavarësisht si do të jetë”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Leposaviqit për shqetësimin e banorëve por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.