
Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com
Shoqata e Distributorëve të Barnave reagon lidhur me unifikimin e çmimeve: Vendimi i MSH-së rrezikon tregun e barnave
Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (ShDPFMK) pretendon se Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje me nivelizimin e çmimeve të produkteve farmaceutike.
Ministria e Shëndetësisë, më 23.12.2024, ka publikuar Listën e çmimeve të barnave me detyrim të zbatimit në tregun e Kosovës nga data 01.02.2025.
“SHDPFMK konsideron se procedura e përpilimit të kësaj liste është në kundërshtim me vetë Ligjin për Çmime të Barnave Nr. 08/L- 220, për faktin se anashkalon procedurat për llogaritjen e çmimeve të përcaktuar në Nenin 8 dhe 9 të këtij Ligji dhe ka përzgjedhur metodologji, e cila nuk ka mbështetje në kornizat e këtij Ligji.” – thuhet në reagimin e kësaj Shoqate, më 27.12.2024.
Kjo Shoqatë pretendon se shkeljet janë bërë për faktin se Ministria e Shëndetësisë:
-Nuk ka marrë për bazë çmimet referente në vendet e regjionit (Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kroaci)
-Eshtë bazuar në krahasime të paqëndrueshme, duke mos konsideruar karakteristikat e tregut të Kosovës si vend pa sigurime shëndetësore dhe pa Siistem të Rimbursimit të Barnave.
-Ka marrë për bazë të llogaritjes çmimet CIP: çmimin e importit të barnave në vitin 2022 e më herët – duke anashkaluar rritjet e shumta të çmimeve, që kanë ndodhur jo vetëm për barna, por të gjitha produktet e konsumimit dhe inflacionin e lartë.
-Nuk merret në konsideratë pagesa e shërbimit profesional të farmacistit – duke konsideruar tregtimin e barnave jo si shërbim profesional, por si treg i konsumimit të përgjithshëm.
-Si dhe, ka përcaktuar marzhën prej 7.5% për distributorë, pa sqaruar asnjëherë se cila është referenca për këtë nivel marzhe, përderisa në vendet në regjion – të cilat janë dashur të mirren si referencë sipas Nenit 8 të Ligjit – sillet prej 11-13%.
“Fakti se procesi i propozimit e aprovimit të Ligjit për Çmime të Barnave është zhvilluar pa u konsideruar asnjëherë kërkesat e ankesat e farmacistëve e shoqatave të tyre dhe duke mos aprovuar shumicën e ankesave, që kanë deponuar shumica e kompanive farmaceutike në MSH, tregon më së miri se Ligji në fjalë i zbatuar në këtë formë të pjesërishme e tekanjoze është në kundërshtim të plotë me interesat e përgjithshme të sektorit farmaceutik në Kosovë.” – thuhet në reagimin e tyre.
Sipas Shoqatave, “kjo këmbëngulësi e strukturave të MSH për zbatimin e këtij Ligji, me përmbajtje kontradiktore, do të rrezikojë të ardhmen e gjithë komunitetit farmaceutik në Kosovë, do të rrezikojë furnizimin e rregullt, të mjaftueshëm e cilësor të barnave për popullatën e Kosovës”.
Tutje, në reagim potencohet se me listën e çmimeve të publikuara nga MSH do të goditet aspekti profesional i farmacistit dhe do t’u shkatohen humbje të mëdha financiare të gjitha institutcioneve farmaceutike.
“Mungesa e barnave do të vije, pasi që shumica e Kompanive nuk mund të operojnë me këto çmime, sepse do të punojnë me humbje të mëdha, ndërsa tregu do të lirohet për barna të cilat do të jenë më të shtrenjta dhe do të mbesin monopol me treg – duke mos përjashtuar produktet me origjinë të dyshuar.” – thuhet, më tej, në reagim.
Sipas SHDPFMK-së, “ky është rast unik në Republikën e Kosovës, ku një Ministri e caktuar ndërhyn në formë kaq flagrante në të drejtën elementare të bizneseve, për të realizuar operacionet ekonomike të diktuara, sipas rregullave të një tregu të lirë”.
Shoqata ka ftuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministrin, që t’i vlerësojnë me kujdes dëmet që shkakton implementimi i pjesshëm e selektiv i Ligjit.
Përcaktimi i çmimeve të barnave bëhet duke u bazuar në Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili e parasheh edhe metodologjinë, e cila thotë se bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme, të cilat janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe vendi i origjinës së produktit.
Paragrafi 10 i Nenit 9 të Ligjit thotë se “çmimi me shumicë përbëhet nga vlera e marzhës së qarkullimit me shumicë e shpenzimeve të tjera vartëse, jo më shumë se 7.5%, që llogaritet duke i shtuar çmimit të importit CIP marzhën e qarkullimit me shumicë dhe shpenzimet e ndërlidhura, por jo më shumë sesa vlera e kalkuluar, sipas paragrafëve 5, 6, 7 apo 8 të këtij Neni”.
Kompanitë e distributorëve farmaceutikë padisin Ministrinë e Shëndetësisë