Ilustrim Foto: KALLXO.com

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë padisin Ministrinë e Shëndetësisë  

Kompanitë e distributorëve farmaceutikë janë ankuar ndaj procesit të unifikimit të çmimit të barnave.

Lista e parë me çmimet e përcaktuara të barnave u anulua rreth tri javë pas publikimit të saj për shkak të ankesave që u aprovuan nga Komisioni i Ankesave i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH). 

Tani, kompanitë po ankohen se me uljen – siç e quajnë ata – të tepërt të disa çmimeve, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në treg.

Ismail Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës, renditi disa pasoja që ata parashohin nga mënyra se si po bëhet ky proces. Ndër to është rrezikimi i ekzistencës së veprimtarisë së tyre, duke rrezikuar kështu edhe furnizimin me barna për pacientët kosovarë dhe varfërim të tregut me produkte cilësore farmaceutike.

Shurdhaj shtoi se shumica e distributorëve kanë nëpër depotë e tyre sasi barnash të cilat i kanë blerë me çmime më të larta sesa ato që janë përcaktuar në listën e dytë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, ky proces mund të sjellë edhe pasoja të tjera siç janë humbja e kontratave me partnerët ndërkombëtarë të biznesit dhe humbja e stafit të kompanisë.

Komisioni për përcaktimin e çmimeve të barnave i MSH-së, sipas pretendimeve të Shurdhajt, në shumicën e rasteve ka marrë për referencë çmimet e importit të vitit 2022, e nuk ka konsideruar inflacionin.

“…duke mos konsideruar rritjen enorme globale të këtyre produkteve gjatë vitit 2023 dhe 2024 në të cilat është inflacion shumë i lartë duke vendosur çmime shitëse të cilat janë më të ulëta se çmimet furnizuese nga çmimet e importit” – thotë ai.

Ata po e cilësojnë si të padrejtë edhe ndryshimin e formularit për deklarim të çmimit, i cili më parë përfshinte çmimin e importit CIP, përfshirë vlerën e marzhës së qarkullimit me shumicë dhe shpenzimeve të tjera vartëse jo më shumë se 7.5 për qind.

Pas anulimit të listës së parë të çmimeve të barnave, Arben Vitia, ministri i Shëndetësisë, ka vendosur që më 01.07.2024 ta korrigjojë formularin duke e lënë vetëm çmimin e importit CIP, i cili përfshin çmimin që këto kompani paguajnë për t’i blerë produktet dhe për t’i transportuar deri në hyrjen e tyre në Kosovë, por jo më tutje.

Të njëjtën ditë, ministri ka marrë edhe një vendim tjetër që obligon këto kompani të deklarojnë çmimin e importit CIP bashkë me dëshminë nga Dogana e Republikës së Kosovës apo Lejen e Importit të lëshuar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Nëse bartësit nuk i sjellin këto dëshmi, vendimi thotë se Komisioni për Përcaktimin e Çmimeve i MSH-së obligohet që të hulumtojë dhe të verifikojë çmimin e importit CIP nga institucionet përkatëse.

Por, me këtë nuk po pajtohen kompanitë, të cilat thonë se këto dokumente nuk iu kërkuan kur deklaruan çmimet herën e parë. Megjithatë, në Procedurat Standarde Operative të nxjerrë nga MSH më 04.01.2024 pjesë e dokumentacionit që aplikuesi duhet të dorëzojë është edhe dëshmia për çmimin e importit.

Me këtë vendim, ata pretendojnë se ministri ka ndryshuar metodologjinë. Ligji thotë se ministri përcakton me vendim procedurën, formatin, aplikimin e deklarimit dhe rideklarimit të çmimit dhe aplikimit për ndryshim të çmimit të produktit.

Përcaktimi i çmimeve të barnave bëhet bazuar në Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili parasheh edhe metodologjinë, e që thotë se bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme, të cilat janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe vendi i origjinës së produktit.

Ministria e Shëndetësisë në përgjigjet e kthyera më 03.12.2024 thotë se nuk ka ndryshuar metodologjinë, por ka marrë masa për të përforcuar zbatimin e ligjit. Ajo thotë se është siguruar që çmimi CIP dhe dëshmitë e importit të merren parasysh, pasi që një gjë e tillë s’është marrë në konsideratë plotësisht gjatë kalkulimit të parë, sipas analizës së Komisionit të Ankesave.

“Vendimi ka për qëllim të sigurojë që çmimet e importit (CIP) të jenë të bazuara në dëshmi të qarta dhe të verifikueshme, duke përfshirë dokumentet nga Dogana (DUD) ose lejen e importit të lëshuar nga AKPPM. Kjo masë është një përpjekje për të përforcuar zbatimin e legjislacionit ekzistues dhe për të shmangur parregullsitë në kalkulimin e çmimeve” – thuhet në përgjigjen e MSH-së.

E pyetur pse ka nxjerrë një vendim të veçantë për dorëzimin e dëshmisë së çmimit të importit, përderisa Procedura Standarde Operative e parasheh këtë, Ministria tha se këtë e ka bërë për të siguruar një kornizë të qartë dhe për të standardizuar procesin pas evidentimit të parregullsive gjatë vlerësimit fillestar të çmimeve nga Komisioni për Përcaktimin e Çmimeve të Barnave.

“Kjo masë ishte e domosdoshme për të siguruar transparencë dhe për të harmonizuar veprimet me dispozitat ligjore” – thuhet më tej në përgjigje.

Një sqarim i mëhershëm i Ministrisë për kompanitë thoshte se çmimi CIP deklarohet vetëm për rastet e parapara në pikën 11 të nenit 9 të Ligjit, që do të thotë barnat që nuk kanë Autorizim Marketingu.

Por, pavarësisht kësaj, Ministria thotë se vendimi i ministrit zgjeron interpretimin për të mbuluar raste ku çmimi CIP është element kyç për përcaktimin e drejtë të çmimit përfundimtar.

“Ky veprim ndihmon në harmonizimin me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parandalon mundësinë e deklarimeve të pasakta nga subjektet”- përfundon përgjigjja.

Ismail Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë, tha se sipas informacioneve të tyre, pothuajse te gjithë qarkulluesit farmaceutikë me shumicë dhe bartësit e autorizim-marketingut kanë dërguar ankesa në Ministri lidhur me çmimet e përcaktuara dhe se të gjitha ankesat janë refuzuar.

Në njërën prej përgjigjeve të Ministrisë, e cila ka refuzuar ankesën e njërës kompani, thuhet se çmimet janë përcaktuar duke u bazuar, ndër të tjera, në dispozitat e nenit 9, paragrafit 10 të Ligjit për çmimin e produkteve medicinale dhe në vendimin e ministrit që obligon deklarimin e çmimit të importit CIP me dëshmitë përkatëse.

Paragrafit 10 i nenit 9 të Ligjit thotë se çmimi me shumicë përbëhet nga vlera e marzhës së qarkullimit me shumicë dhe shpenzimeve të tjera vartëse jo më shumë se 7.5 për qind që llogaritet duke i shtuar çmimit të importit CIP marzhën e qarkullimit me shumicë dhe shpenzimet e ndërlidhura, por jo më shumë sesa vlera e kalkuluar sipas paragrafëve 5, 6, 7 apo 8 të këtij neni.

Pjesëtarët e kësaj Shoqate konsiderojnë se përcaktimi i marzhës prej 7.5 për qind nuk i ngjason asnjë prej vendeve të rajonit e as të Europës.

Shurdhaj thotë se nuk është zbatuar në tërësi neni i lartpërmendur, sepse nuk janë përfshirë shumë shpenzime të tjera që i kanë distributorët.

“Nuk janë përfshirë shpenzimet e ndërlidhura të cilat janë 1% pagesa e lejes së importit në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, pastaj rreth 0.5% pagesat e banderolave për kuti të barnave, licencimi i depos për qarkullues farmaceutik që është 1,200 euro në vit, regjistrimi i produkteve farmaceutike prej 1,000-2,000 euro në 5 vite, shpenzimet e mirëmbajtjes së autorizim-marketingut prej 5-10%. Në këto shpenzime nuk përfshihen shpenzimet e tjera operative si pagat e punëtorëve, qiratë, karburantet, automjetet, transporti” – tha ai.

Astrit Haxhijaha, nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK), parasheh që ky moskalkulim i shpenzimeve shtesë që i kanë kompanitë farmaceutike do t’i obligojë shumicën e kompanive farmaceutike të tërhiqen nga tregu i Kosovës, duke e detyruar konsumatorin e Kosovës t’i këkrojë barnat në vendet e rajonit e jo në Kosovë ku do të ketë mungesë. 

“Formën si e ka praktikuar komisioni i çmimeve në MSH në raport me aplikuesit e kompanive (në procedurën standarde operative) kam frikë se nuk do të gjejë zbatim, pasi nuk do te jenë çmimet të ngjashme sikur shtetet rajonale referente” – thotë Haxhijaha, i cili shton se kjo do të stimulojë furnizimin me barna në mënyrë ilegale.

Për këto problematika të ngritura, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë më 18.11.2024. Pavarësisht disa kërkesave të dërguara, Ministria nuk ka ofruar përgjigje në asnjërën prej pyetjeve edhe pas gati 2 javë pritjeje.

Komisioni që përpiloi listën e dytë të çmimeve të barnave përbëhet nga kryesuesja Virtyte Krasniqi dhe anëtarët Ilir Kurti, Bashkim Sadiku, Sulltane Havolli, Besnik Stavileci, Hilmi Shala dhe Krenare Maraj. Krejt këta janë zyrtarë publikë nëpër institucione shëndetësore si Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) e Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Lista e dytë e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë më 06.09.2024 dhe edhe pse ka kaluar afatin kohor të shqyrtimit të ankesave, nuk ka hyrë në fuqi ende. Ministri Arben Vitia kishte thënë se ajo pritet të hyjë në fuqi deri në fund të muajit nëntor.

Lista e parë ishte miratuar më 15.05.2024, ndërsa u anulua më 06.06.2024.

KALLXO.com ka raportuar për rënien e çmimeve deri në 7 herë të disa barnave nga lista e parë në të dytën.

Ky proces karakterizohet me vonesa të shumta, në kundërshtim me Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale. Ky Ligj ka hyrë në fuqi më 18.08.2023, ndërsa neni 19 i tij thotë që lista e çmimeve të barnave publikohet për herë të parë 4 muaj pas hyrjes në fuqi, e zbatimi i tij fillon 6 muaj pas.

Virtyte Krasniqi, kryesuese e Komisionit për Përcaktimin e Çmimeve në MSH i dha intervistë për KALLXO.com para dy muajve, ku foli për zvarritjet dhe gabimet që po ndodhin në këtë proces që sipas saj “po ndodh për herë të parë” në Kosovë.

Ajo, me 23.09.2024 foli jo vetëm për arsyet që çuan në anulimin e listës së parë të çmimeve, por edhe për problemet teknike.

KALLXO.com kishte kërkuar qasje në procesverbalet e mbledhjeve të këtij Komisioni dhe pati pranuar 11 sosh si dhe dhjetëra lista të pjesëmarrjes nëpër takimet e mbajtura. Në bazë të këtyre dokumenteve shihet se procesverbalet nuk janë mbajtur për çdo takim pune, por vetëm për mbledhjet ku komisioni ka marrë vendime. Në këto dokumente vëreheshin edhe mungesa të shumta të anëtarëve nëpër takime.

Komisioni i përbërë prej 7 anëtarëve ka mbajtur dhjetëra takime për të punuar për caktimin e çmimeve të barnave. Por, asnjëri prej këtyre takimeve nuk është incizuar përkundër faktit që praktika e incizimit të mbledhjeve është prezente në institucionet publike të Kosovës. Jo vetëm kaq, ky komision i Ministrisë së Shëndetësisë ka shkuar një hap tutje kundër transparencës duke vendosur që ta heqë nga Rregullorja e punës largimin e pikës që parashihte regjistrimin e mbledhjeve në sistemin audio.

“Vendimin e kemi marrë krejt si grup- si komision, se takimet janë shumë të gjata dhe është bajagi problem me mbajtë procesverbal krejt kush çka flet. Takimet mbahen prej orës 9 [mëngjes] deri në 8, 6 e 7 [mbrëmje], varësisht…, hyjnë e dalin [anëtarët], janë muhabete që është pak problem edhe për sekretarinë” – ishte shprehur Krasniqi.

Sipas kryesueses së Komisionit, për shkak të këtyre “vështirësive teknike”, ata kanë vendosur që ta “thjeshtësojnë duke mos incizuar, por vetëm duke përfshirë pikat kryesore në procesverbal”. Komunikimi më i madh, sipas saj, ka ndodhur edhe përmes email-eve.

“Vetëm për shkak të problemeve teknike, që ka qenë problem me e zbatu, me mbush procesverbalin me kush çka ka thanë, tek ka thanë. Tjetra ish edhe kjo puna teknike. Derisa po i gjen diktafonin, atë, këtë. Infrastruktura teknike ka qenë pak e papërshtatshme. Po edhe komisioni ka vendosë në mënyrë të përbashkët, po e largojmë si pikë se po e shohim pak problematike që sekretaria me marrë transkriptën e kush çka ka thanë me plotësu, [andaj] po e bëjmë në mënyrë sa më të thjeshtë” – kishte thënë ajo.

Këto kompani kanë dërguar ankesat e tyre edhe në Gjykatë, e drejtë e paraparë me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Shënim: Artikulli është edituar, me ç’rast është shtuar edhe përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë. Koha e editimit, 03.12.2024, ora 19:05.