Dekanët, Lindita Sejdiu Rugova dhe Domagoj Tonçiniq. FOTO: Universiteti i Prishtinës.

Shkëmbimi i stafit akademik dhe studentëve pjesë e memorandumit mes UP-së dhe Universitetit të Zagrebit

Fakultetit i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave Humane dhe Shoqërore të Universitetit të Zagrebit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të UP-së ku është thënë se ky memorandum bashkëpunimi ka në fokus shkëmbimin e stafit akademik, të studentëve dhe të zhvillimit të bashkëpunimeve të reja në fushën e shkencave filologjike dhe atyre humane e sociale.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga dekanët, Lindita Sejdiu – Rugova dhe Domagoj Tonçiniq, në praninë e prodekanëve të këtyre fakulteteve.

“Memorandumi u nënshkrua si vazhdimësi e një bashkëpunimi konkret ndërmjet Qendrës së Gjuhëve “Croaticum” në Universitetin e Zagrebit dhe Qendrës së Gjuhëve të UP-së, të shkëmbimit të lektorateve nëpërmjet marrëveshjes ekzistuese ndërministrore Kosovë – Kroaci, të iniciuar më herët e që pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm akademik” – është thënë në njoftimin e UP-së.

Dekania Rugova ka takuar edhe drejtorin e Qendrës së gjuhës kroate për të huajt, Croaticum, Antonio Juriçiq, përfaqësues të tjerë të kësaj qendre, si dhe me udhëheqësin e programit të studimeve të Evropës Juglindore, program i cili do të zhvillohet në gjuhën angleze, por në të cilin shqipja pritet të ofrohet krahas gjuhëve të tjera të Evropës Juglindore si lëndë zgjedhore.