Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shfaqja ‘Gratë Trojane - Replika’ jepet nesër në teatrin ‘Dodona’

Shfaqja teatrale “Gratë Trojane – Replika” do të shfaqet nesër (e enjte) në ora 19:30 në Teatrin e Qytetit “Dodona” në Prishtinë.

Kjo shfaqje është krijuar nga Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis”  në bashkëpunim me “DAH Teatër” në Serbi, duke u frymëzuar nga drama e Euripidit e shkruar 2000 vjet më parë.

Përmes një njoftimi për media Qendra ‘Artpolis” ka bërë të ditur se ky projekt thellohet në tema të përjetshme si lufta, zhvendosja, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve dhe gjenocidi – tema që mbeten të rëndësishme sot në mbarë botën.

“’Gratë Trojane-Replika”’ synon të lidhet me komunitetet me histori të fundit të konflikteve, ku mbizotëron dëshira për të trajtuar çështjet bashkëkohore përmes teatrit. Me regji të regjisoreve të vlerësuara Zana Hoxha nga Kosova dhe Dijana Milosheviq nga Serbia, ky produksion shënon një kulm të motërzimit artistik dhe aktivist 15-vjeçar ndërmjet ‘Artpolis’ dhe ‘DAH Teatrit’”- thuhet në njoftimin e qendrës “Artpolis”.

Sipas “Artpolisit”, qasja bashkëpunuese, e udhëhequr nga një perspektivë feministe, kapërcen nacionalizmin dhe kufijtë.