Shërbimi Korrektues shënon 22 vjetorin e themelimit

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar sot 22 vjetorin e themelimit, ndërsa në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ministrja haxhiu ka thënë se ky institucion është gjetur shpesh nën ndikime dhe direktiva të interesave të ngushta klanore e partiake, të cilat në kohë relativisht të gjatë e kanë dominuar këtë shërbim, duke e zbehur imazhin e tij e duke e degraduar këtë institucion.

Sipas ministres Haxhiu, këto kanë ndikuar që qytetarët të humbasin besimin në kredibilitetin dhe aftësinë e tij për të zbatuar misionin ligjor dhe kushtetues.

“Për këto arsye, brenda Ministrisë së Drejtësisë e kemi vënë si prioritet avancimin e ShKK-së në pikëpamje të përmirësimit të statusit dhe kushteve të punës për zyrtarët korrektues dhe personelin tjetër administrativ e profesional; ngritjen e përgjegjësisë në punë duke përfshirë edhe zbatim më të mirë të standardeve të rekrutimit, vlerësimit të performancës dhe gradimit të personelit; ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve profesionale”, shtoi ministrja Haxhiu.

Në komunikatë thuhet se Ministria e Drejtësisë sapo ka përfunduar procesin e plotësim-ndryshimeve të tri ligjeve: Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; Ligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe Ligji për Shërbimin Sprovues të Kosovës.