Foto: LSA

Shënohet edhe një viktimë nga coronavirusi në Shqipëri

Numri i të prekurve me COVID-19 në Shqipëri u rrit në 518 të enjten, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik zbuloi 24 raste të reja mes personave të dyshuar.

Numri i fataliteteve është rritur sërish të enjten, pas humbjes së jetës së një 64-vjeçareje nga Tirana në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

“Ajo gjendej në gjendje kritike për jetën prej dy javësh dhe sëmundjet shoqëruese e kanë bërë fatkeqësisht viktimën një person me rrisk,” tha zyrtarja Silva Bino.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha për mediat se në 24 orët e fundit ishin testuar 269 persona, nga të cilët 24 rezultuan pozitivë.

Mes të testuarve të rinj nga ISHP, 53 janë pjesë e personelit shëndetësor dhe gjashtë prej tyre rezultuan të infektuar me COVID-19.

Numri më i lartë i rasteve të reja u shënua në Shkodër me 12 persona të infektuar, e ndjekur nga Tirana me 3 raste, Kukësi me 3 raste dhe Fieri gjithashtu me 3 raste. Harta e infeksionit është zgjeruar edhe në Korçë e Kavajë me nga një rast dhe për herë të parë, virusi ka prekur një person nga Mallakastra.

COVID-19 u ka marrë jetën 26 personave që prej fillimit të epidemisë në Shqipëri. Ndërsa 26 persona të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve të enjten, 12 prej të cilëve nga qarku i Shkodrës.

Numri i personave që po marrin trajtim në dy spitalet e vendosura në dispozicion të pacientëve me COVID-19 ishte 43 mëngjesin e së enjtes. Sipas ISHP, 10 prej tyre ndodhen në terapi intensive dhe 3 në gjendje më të rëndë dhe të intubuar.

Bino e konsideroi të tejkaluar frikën për mbingarkim të sistemit shëndetësor të enjten, ndërsa numri më i madh i të prekurve aktivë po trajtohen në shtëpitë e tyre.

“Vetëm 11% e të prekurve janë aktualisht të hospitalizuar, ndërsa 32% e të prekurve janë të vetëizoluar dhe po e kalojnë sëmundjen ose në gjendje asimptomatike, ose me shenja të lehta që ndiqen nga mjeku i familjes,” tha Bino për mediat.

“Është një sëmundje virale që duhet kapur herët, duhet pasur kujdes dhe mund të parandalohet,” përfundoi ajo./Reporter.al