Shëngjin - Foto: KALLXO.com
Shëngjin dhe Velipojë, Policia kryen kontrolle në subjektet që gjenerojnë zhurmë nga muzika
Në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë sezonit turistik, Drejtoria e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, ka vijuar me kontrollet për ndotjen akustike.
Sipas Policisë kontrollet u përqëndruan në subjektet që gjenerojnë zhurma nga muzika, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga turistët.
“Në zbatim të Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, janë kryer matje të nivelit të zhurmës me pajisje të posaçme në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në zona të ndryshme të Velipojës”- thuhet në njoftim.
Sipas Policisë së Shtetit, rezultatet e matjeve kanë dalë brenda kufijve të lejuar ligjorë, sipas standardeve dhe procedurave të përcaktuara.
“Gjatë kontrolleve është verifikuar edhe respektimi i orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, që është nga ora 11:00 deri në orën 24:00, në zona dhe qendra të banuara”- thuhet më tej në njoftim.
Policia shqiptare thotë se mbetet e angazhuar për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt, si për banorët ashtu edhe për pushuesit vendas dhe të huaj.
Kontrolle të ngjashme janë zhvilluar edhe në zonën turistike të Shëngjinit.
Sipas Policisë, kontrollet janë shtrirë edhe në zona të tjera turistike dhe të frekuentuara, jo vetëm përgjatë vijës bregdetare.
“Matjet e zhurmës janë kryer në mjedise të hapura dhe të mbyllura, me pajisje të certifikuara, sipas procedurave të standardizuara, në zbatim të: Ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar; Udhëzimit të përbashkët nr. 02, datë 15.11.2023, të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Turizmit”- thuhet në njoftim.
Nga Policia e Shtetit theksojnë se të gjitha subjektet e kontrolluara kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar të zhurmës.
Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të vendosur nga strukturat e Policisë.