Shahini: Gjatë kohës së grevës është ushtruar presion në komunën e Podujevës dhe në disa komuna të tjera të LVV
Samir Shahini, drejtor komunal i Arsimit në Fushë-Kosovë, ka thënë se gjatë kohës së grevës, nga 25 gusht deri më 1 tetor, në komunën e Podujevës dhe në disa komuna të tjera është ushtruar presion nga Qeveria e Kosovës.
Në emisionin “KALLXO Përnime” ai ka përmendur edhe foton që ishte bërë virale, në të cilën shihen kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të ulur në bankat shkollore të një shkolle në Podujevë gjatë kohës së grevës.
“Nuk konsideroj që ka qenë e drejtë që të ushtrohet presion siç është ushtruar. Ka pasur presion në një formë tjetër në komunën e Podujevës, të njëjtin presion e kemi parë edhe në disa komuna të tjera të LVV. Ka qenë presion vetë prania e kryeministrit me ministren Nagavci në njërën prej shkollave derisa ajo ulet në një bankë mësimore në një kohë kur në nivel vendi është një grevë e shpallur” – ka thënë Shahini duke shtuar se vizita të tilla ka pasur edhe para fillimit të shtatorit.
“Pastaj ka pasur edhe vizita të ndryshme të ministres edhe në shkolla edhe të kabinetit të ministres përtej ministres Nagavci dhe zyrtarëve të ndryshëm, këshilltarëve të saj që kanë vizituar shkolla edhe para fillimit të procesit mësimor, më saktë para datës 2 shtator” – është shprehur drejtori.
Ai tutje ka vlerësuar se këto vizita kanë qenë të selektuara dhe ka thënë se asnjëherë nuk kanë pranuar përgjigje me shkrim nga kabineti i ministres mbi qëllimin e këtyre vizitave.
“Ne kemi kërkuar diku në datën 23-24 me shkrim nga ana e Ministrisë si kryesues i kolegjiumit që të na sqarojë qëllimin e këtyre takimeve të paralajmëruara me mësimdhënës në komuna… Pastaj në takimin e parë të organizuar ne kemi kuptuar që diskutimi kryesor ka qenë rreth grevës në një kohë kur ndoshta në këtë kohë do të duhej të diskutohej për përgatitjet e vitit të ri shkollor, përgatitjet që i takojnë komunave, përgatitjen e librave dhe të ngjashme që do të duhej të diskutoheshin. Asnjëherë nuk kemi pranuar përgjigje me shkrim nga kabineti i ministres mbi qëllimin e këtyre vizitave. Vizitat kanë qenë të selektuara” – ka vijuar ai.
Mirëpo, Avni Fetahu, drejtor i Arsimit në Podujevë i është përgjigjur Shahint duke thënë që nuk konsideron që ka pasur presion nga Qeveria.
“Në komunën e Podujevës ka qenë në vizitë ministrja dhe është trajtuar tema për përgatitjet e fillimit të vitit shkollor. Ne atë ditë e kemi pasur ministren në vizitë në Podujevë për një temë krejt tjetër, po atë ditë është shpallur greva. Unë nuk konsideroj që ka pasur presion. Vizita e kryeministrit dhe ulja simbolike në bankë ku isha prezent edhe vet aty ka qenë e planifikuar kohë më parë” – është përgjigjur Fetahu.
Në anën tjetër, Eranda Baçi, drejtoreshë e Arsimit në Gjakovë, ka thënë gjatë emisionit se ajo nuk ka informata se ka pasur presion nga Qeveria në mësimdhënësit për ndaljen e grevës por se fillimi i mësimit në disa shkolla të Gjakovës ka qenë nga vetë vullneti i mësimdhënësve.