Policia e Kosovës me data bazë të të dhënave për përpunimin e rasteve të krimeve të luftës

Një data bazë e të dhënave me dosjet e 400 rasteve të paraqitura në EULEX, do të mund të përdoret nga Policia e Kosovës me qëllim të hetimit të rasteve të krimeve të luftës.

Kjo data bazë e të dhënave që është krijuar me bashkëpunimin në mes të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, përfshinë të gjitha rastet e raportuara në EULEX deri në vitit 2018.

Data baza është zhvilluar me qëllim që hetuesit ta kenë më të lehtë që të organizojnë sasi të mëdha të dhënave, të hetojnë rastet komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës dhe t’i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale.

Në Dhjetor 2018, si rezultat i mandatit të rikonfiguruar të EULEX-it, Misioni ua dorëzoi dosjet e rasteve policore, prokuroriale dhe gjyqësore autoriteteve të Kosovës.

Mungesa e një baze të tillë të të dhënave, më herët u identifikua si një nga sfidat kryesore me të cilat u përball Policia e Kosovës pas përfundimit të procesit të pranim-dorëzimit të rasteve të mbledhura nga misioni i EULEX-it të cilat ju dorëzuan Policisë së Kosovë në vitin 2018.

“Baza e të dhënave ndihmon në ndërtimin e një rasti nga elementi kryesor i krimit, i cili mund të jetë një vend, një person ose një objekt. Ajo menaxhon një sasi të madhe të dhënash si deklaratat e dëshmitarëve, dëshmitë mjeko-ligjore dhe informacione të hollësishme mbi datat dhe vendet ku janë kryer krimet, si dhe ndihmon hetuesit t’i identifikojnë të dyshuarit dhe t’i lidhin ata me ngjarje të veçanta”, ka thënë Roland Burgsteiner, Analist i EULEX-it për krimet e luftës, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e bazës të të dhënave.

Kjo data bazë e të dhënave përfshin rreth 400 raste të krimeve të luftës, të cilat u skanuan dhe u futën në të pasi EULEX -i ia dorëzoi këto raste Policisë së Kosovës në vitin 2018.