Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

RTK rikthen Ligën e Kampionëve por jo edhe ndeshjet e kombëtares së Kosovës, drejtori jep detaje

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka arritur që ta rikthejë transmetimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, por jo edhe të ndeshjeve të kombëtares së Kosovës.

“Liga më e fortë në futboll rikthehet së shpejti në RTK #rtkepublikut”- thuhet në njoftimin e televizionit publik.

Lidhur me këtë zhvillim, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili ka dhënë detaje rreth kontratës për transmetimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.

“Formati i ndeshjeve që ofrohen nga UEFA ka ndryshuar, për transmetuesit publik është e dizajnuar pakoja A që thirret pakoja ekskluzive, që do të thotë RTK-ja do të ketë të drejtë të transmetimit të superderbit kryesor ditën e mërkurë, pra RTK-ja e zgjedh lojën kryesore, ndërkaq pakoja B kushdo që e ka fitu ka të drejtë lojët e tjera”- tha ai.

Ahmetxhekaj ka thënë se në RTK do të transmetohen edhe dy liga të tjera pos Ligës së Kampionëve: Evropa Liga dhe Ligën e Konferencës.

“Nëse po flasim për superderbin e javës e transmeton RTK-ja, pos asaj të njëjtën gjë ne nuk e kemi vetëm për Ligën e Kampioneve por është edhe për Evropa Ligën dhe Konferencë Ligën. Gjatë javës ne do të kemi dy ndeshje, pra dy superderbit kryesor. Kemi kontraktuar edhe Ligën e Konferencës për shkak se në këtë ligë potencialisht ekipet e Kosovës mund të jenë pjesëmarrës”- ka theksuar ai.

I pyetur se çfarë po bëhet për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares së Kosovës, Ahmexhekaj ka sqaruar se ku është problemi.

“Të drejtat sportive për ndeshjet e Kosovës kanë qenë subjekt i tenderimit në vitin 2021, pra po flasim për një kohë kur menaxhmeti dhe bordi aktual nuk kanë qenë në detyrë, dhe ne kemi trashëguar një situatë ku një kompani private ka fituar të drejtën e transmetimit. Ne kemi tentuar që ta rikthejmë duke bashkëpunuar me këtë kompani private por deri tash nuk kemi arritur. Sidoqoftë përpjekjet tona s’kanë me u ndalë”- ka thënë ai.

“Pajisja me të drejtat ekskluzive të transmetimeve sportive bëhet të paktën 1 vit e gjysmë më herët, prandaj dhe ne kemi trashëguar një situatë, e cila është e tillë por jo për fajin tonë. Të drejtat e futbollit jepen për 3 deri në 6 vite, në momentin që skadon kontrata aktuale që jepet për 2026, atëherë RTK do të ketë të drejtë të aplikojë më herët 2024/25 për me rikthy edhe Kosovën në transmetimin e saj, gjë të cilën do të angazhohemi ta bëjmë”- ka sqaruar ai.

Ndërsa, kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se ky rikthim po bëhet pavarësisht sfidave.

“Pavarësisht shumë sfidave, Liga e Kampioneve rikthehet në RTK pas dhjetë viteve. Më në fund thyhet monopoli privat dhe rrjedhimisht qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë t’i përcjellin ndeshjet e Ligës së Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Konferencë Ligën (2024, 2025, 2026) në gjuhën shqipe”- ka shkruar ai në facebook.