Sekretari i VV-së: Thaçi nuk i ka dhënë Kurtit afat 48 orësh

Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit Thaçi së në takim me Kurtin ia ka dhënë një afat prej 48 orësh që të bëjë propozimin e kandidatit për kryeministër.

Ahmeti i cili poashtu ka qenë i pranishëm në takimin e shkurtër Kurti-Thaçi ka thënë se nuk është përmendur ndonjë afat kohor, i cili sipas tij është jokushtetues.

“Mund të them që në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve. Ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Tutje ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do ti dërgojnë presidentit Thaçi me shkrim propozimin e VV-së për mandatar.

“Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë sonë do të marrim vendim, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe mandej do t’ia dërgojmë zyrtarisht e me shkrim Presidentit propozimin tonë”, shtoi ai.

Sot presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetvendosje, Albin Kurti janë takuar për herë të parë në një takim konsultativ pak minutësh për caktimin e mandatarit të qeverisë.

Pas takimin në një postim, Thaçi i ka dhënë Kurtit një afat prej 48 orësh që të bëjë propozimin e kandidatit për kryeministër.

“Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi.

Fotografia e parë Hashim Thaçi – Albin Kurti

VIDEO – Albin Kurti flet për takimin me Thaçin dhe bisedimet me LDK-në