VIDEO - Albin Kurti flet për takimin me Thaçin dhe bisedimet me LDK-në

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur pas takimit të shkurtër që ka pasur me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Kurti para gazetarëve deklaroi se ishte një takim i shkurtër konsultativ pa efekte juridike. Sipas tij, presidenti e shprehi interesimin që qeveria të formohet sa më shpejtë.

“Ky ishte një takim i shkurtër konsultativ. Pa efekte juridike. Në këtë takim disa minutësh, dëgjova presidentin për interesimin e tij që sa më shpejtë të formohet qeveria. Por tha që iu nevojitet një kohë e caktuar për këtë gjë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, mirëpo në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne, është e nevojshme që këtë ta bëjmë me shkresë”, deklaroi Kurti.

Ai gjithashtu tha se për të dërguar emrin e kandidatit tek presidenti, fillimisht do të takohet me kryesinë e partisë së tij.

“ Do të raportoj në kryesinë e Lëvizjes Vetëvedosje dhe sa më parë të jetë e mundur do të ja sjellim propozimin tonë përkryeministrin e ardhshëm që ky do ta mandatojë”, tha Kurti.