Thaçi i jep Kurtit edhe 48 orë ta propozojë Kryeministrin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se sot, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ofrojë propozimin për mandatarin e qeverisë.

Në publikim thuhet që presidenti i ka dhënë Kurtit një afat prej 48 orësh që të bëjë propozimin e kandidatit për kryeministër.

Më tej ai ka shkruar se nevoja për krijimin e Qeverisë është jetësore për shtetin dhe se më tutje do të shfrytëzojë të drejtat ligjore dhe kushtetuese të presidentit.

“Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi.

Përgjatë dy dekadave të pranisë të tyre në jetën ushtarake, politike e publike, Hashim Thaçi e Albin Kurti nuk janë parë ndonjëherë duke i shtrënguar duart me njëri- tjetrin.

Dy rivalët e mëdhenj politikë janë bërë sot për herë të parë ballë për ballë njëri tjetrit në një takim në të cilin Thaçi, si President i vendit, pritet ta nominojë Kurtin, si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, për postin e Kryeministrit.

Kurti ka hyrë në orën 15:00 në zyrën e Thaçit, ashtu siç ishte caktuar termini pas dy përpjekjeve të dështuara për t’u takuar në dhjetor.

Ndryshe, sot janë bërë tre muaj që nga zgjedhjet e 6 teorit 2019, ku partia Vetëvendosje doli si parti e parë dhe mori ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sot, gjatë ditës, lideri i LVV Albin Kurti, përmes një videoje të publikuar në Facebook, ka bërë të ditur emrat ministrave që do të jenë në krye të pesë ministrive dhe zëvendëskryeministrin e dytë të qeverisë.

“Për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë: Haki Abazi, ministre të Drejtësisë, Albulena haxhiu, ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, prof. Blerim Reka, për ministër të Financave dhe Transfereve, prof. Besnik Bislimi, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, ka bërë ditur Kurti në një video të postuar në rrjetin social ‘Facebook’.

Propozimi i këtyre ministrie vjen pa një marrëveshje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.