Fatmir Sejdiu, ish- President i Kosovës. Foto: Atdhe Mulla

Sejdiu: Isa Mustafa humbi gjashtë palë zgjedhje, duhet të dorëhiqet

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një debati në TV Dukagjini ka kritikuar ashpër kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Sejdiu deklaroi se LDK-ja ka humbur gjashtë palë zgjedhje gjatë udhëheqjes së Isa Mustafës, dhe kjo, sipas tij, është arsye pse ai duhet ta shqyrtojë dorëheqjen.

“Kanë ndodhë gjashtë palë zgjedhje, dhe në secilën ka humbur LDK-ja. I pari që përgjigjët është lidershipi. Kjo lidhet me mandatin e tij, ai [Isa Mustafa] e ka udhëhequr procesin, ka dhënë deklarata për fitoren”, u shpreh ai.

Sipas tij, Lutfi Haziri dhe Muharrem Sfarqa duhet të dorëhiqen nga pozitat që i mbajnë brenda LDK-së, pas ‘dështimit’ në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Përgjegjësia kalon edhe tek kandidatët nëpër komuna të cilët janë kryetar degësh. Po flas për Lutfi Hazirin, Muharrem Sfarqën. Shikoni nivelin e LDK-së në Gjilan. Zbritje të madhe ka edhe në Podujevë në krahasim me zgjedhjet e mëhershme. Ata që kanë humb duhet të dorëhiqen”, tha Sejdiu, i cili dikur ka drejtuar LDK-në.

Fatmir Sejdiu ka siguruar se Isa Mustafa i ishte betuar se nuk synon që bëhet kryetar i LDK-së.

Fatmir Sejdiu nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në garën për të parin e LDK-së në zgjedhjet e brendshme me 3 gusht, duke mbetur kështu Mustafa pa konkurrencë. 

Kujtojmë se nga zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-ja është renditur e dyta pas Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto dy parti janë në bisedime për formimin e një koalicioni qeverisës.