Zgjedhjet në LDK - Rrëzohet kandidatura e Fatmir Sejdiut, në garë vetëm Isa Mustafa

Kallxo.com merr vesh se Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa kanë shpallur kandidaturat për kryetar të partisë.

Tani dy kandidatëve iu duhet të sigurojnë votat e 50% +1 të anëtarëve në mënyrë që të iu pranohet kandidatura.

Mirëpo, Fatmir Sejdiu nuk e ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t`u futur në garë.

Kallxo.com merr vesh se Fatmir Sejdiu ka marrë 78 vota nga 355 delegatë sa janë brenda.

Ndërkohë, Isa Mustafa, kreu aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në fjalën e tij hyrëse në Kuvendin e IX-të Zgjedhor ka deklaruar se ka ardhur koha që të marrin përgjegjësi për Kosovën.

“Ne përfunduam një sistem zgjedhor dhe dolëm mirë. Jemi shpresë plotë që LDK po shfaq energji e veprim politik të koordinuar mirë”, tha Mustafa.

“Vlerësoj se ka ardhur koha që të marrim përgjegjësi për Kosovën. Ka ardhë koha për ta ndalur qeverisjen e keqe që e pat Kosova e për t’i ndalur skandalet që i pat Kosova për 2 vite njëri pas tjetrit”, tha tuje Mustafa, duke shtuar se “Ne duam politika të bashkimit dhe jo të ndarjes”.

“Delegatë të nderuar, unë qëndroj para jush gati 1 dekadë si kryetar i LDK-së. Qëndroj këtu për t`i dhënë LDK-së mbështetjen time të pakursyer, për të iu thënë se unë jam edhe më optimist për të ardhmen e Kosovës. Unë si kryetar i LDK-së bashkë me ju dhe të tjerët arritëm që ta qeverisim për herë të parë Kosovën, pa korrupsion e pa keqpërdorime”, ka thënë ai.

Kur Isa Mustafa përmendi emrin e Ibrahim Rugovës, të gjithë delegatët duartrokiten për disa sekonda.

“Gjatë procesit zgjedhor na ndodhën disa incidente të vogla të cilat i menaxhuam shumë mirë. LDK është parti e njerëzve të mençur, intelektualë, brezit të ri e të vjetër. Do të dështojnë të gjithë ata që provokojnë”, tha ai.

Mustafa tha se “Rivalëve tanë politik iu themi nga këtu – Shihemi nesër në zgjedhje”.

“Na pret punë e madhe për një fitore të madhe. Jam i bindur se ky kuvend e nga ky kuvend do të dalim më të fortë e më të bashkuar. Ta përfundojmë këtë Kuvend në mënyrë solemne dhe festive”, tha në fund Mustafa.

Në anën tjetër ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu, para fillimit të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së nuk ka përjashtuar mundësinë e kandidimit të tij për të udhëhequr sërish me LDK-në.

I pyetur nëse do jetë kandidat, Sejdiu ka thënë se gëzon mbështetje te simpatizantët dhe anëtarësia e LDK-së, por që sipas tij Kuvendi i Përgjithshëm i LDK-së është organi më i lartë i cili merr vendimet.

“Unë e kam shprehur gatishmërinë time pa numra, pa e llogarit numrin. Sepse vota është e lirë, vota është e njerëzve që e dedikojnë, prandaj s`dua as të imponojë, as të kemi thjeshtë iluzione apo ideale të caktuara. Ajo varet nga vet delegatët. Unë besoj që kam mbështetje të rëndësishme në qytetarët e vendit. Absolutisht flas në simpatizantët dhe anëtarët e LDK-së. Dhe mendoj se këta njerëz që më prezantojnë duhet të prezantojnë vullnetin e tyre”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar se ëshët esenciale që në këtë Kuvend Zgjedhor të ketë proces demokratik.

“Çka është esenciale për këtë Kuvend, që të dalë me rezultatet e përgjithshme të mira edhe dua të besoj në vendimet e tij. Kuvendi duhet të respektojë rregullat demokratike, absolutisht sepse ka diçka që është hyjnore për LDK-në. Dhe unë them për brezin e ri që do të jetë bartës i proceseve dhe i barrës që do ta marrë shtetin në të ardhmen që të bazohet në ato parime të cilat janë parime të pakapërcyeshme. Dhe të cilat natyrisht se nuk janë vetëm për pjesën e dekorit, por për një jetë esenciale të qytetarit të vendit dhe për pjesëmarrjen e tyre për të bërë dhe për të gjetur perspektivën. Sidomos për brezin e ri edhe për vendin në kudër të familjeve të lira që ekzistojnë sot”, ka deklaruar Sejdiu.