Erden Atiq, kandidat i LVV-së për Kryetar të Mitrovicës së Veriut. FOTO-KALLXO.com

Seanca solemne, nesër Erden Atiq pritet të betohet

Kryetari i  ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendsoje që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, pritet që nesër ta jap betimin si kryetar.

Përgatitjet për seancën po shkojnë normalisht, përderisa zyrtarë komunal presin që punët në Komunë të fillojnë sa më shpejtë.

Në një bisedë me KALLXO.com, zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku ka thënë se nesër seanca do të zhvillohet vetëm me një pikë rendi të ditës, betimin e kryetarit.

“Nuk ka ndonjë telashe, në rregull është krejt. Është seancë solemne, me një pikë të rendit të ditës dhe vetëm betimin ka me jep kryetari. Pëgatitjet janë bërë të gjitha”.

Sadiku shpjegoi se komuna ka funksionu pa ndërprerje edhe në kohën e dorëheqjes së Listës Serbe, teksa shton se Drejtoria e cila ka qenë funksionale gjithmonë ka qenë ajo e Administratës Publike.

Sipas zëvendëskryesuesit, që prej betimit të tyre si asamble kanë mbajtur gjashtë mbledhje, duke përfshirë edhe një në lidhje me vërshimet si pasojë e të reshurave të shiut.

“Komuna ka funksionuar pa ndërprerje edhe në kohën kur kanë dhënë dorëheqje, Lista Serbe. Një drejtori e ka mbajt gjallë komunën, e ajo është drejtoria e Administratës Publike. Po shkojnë normal gjërat dhe nuk pritet ndonjë telashe. Prej që kemi dhënë betimin ne asambleja i kemi mbajtur gjashte mbledhje nga dhjetori, një prej tyre ka qenë edhe për vërshimet”- është shprehur ai.

“Është në interesin tonë që të fillojmë sa më shpejtë me u de-blloku komuna dhe me fillu me punë edhe drejtoritë që me u merrë me tema dhe probleme normale”- ka theksuar Sadiku për KALLXO.com.

Ndërkaq, që ceremonia e betimit të Atiq të përcillet pa incidente, Policia e Kosovës thotë se ka ndërmarrë masat dhe planet operacionale të nevojshme.

Në një prononcim për KALLXO.com, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani tha se kanë ndërmarrë të gjitha masat që inaugurimi të shkojë si duhet.

“Situata është e qetë njëherë për njëherë, sidoqoftë është delikate mirëpo nuk kemi ndonjë indikacion që do të ketë ndonjë problem nesër. Policia i ka ndërmarrë masat që inaugurimi të shkojë si duhet. Policët do të jenë në rrugë edhe për të rregulluar trafikun edhe nuk shohim që ka ndonjë problem”- ka njoftuar Elshani.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim nga kryetari i ri, Erden Atiq dhe nga ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi lidhur me ceremoninë e betimit të Atiq, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Po ashtu, redaksia ka kërkuar të dijë nëse MAPL është njoftuar për datat se kur do bëhet betimi i kryetarëve të rinj të tri komunave tjera veriore, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Për betimin e Atiq, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi të hënën para gazetarëve tha se Mitrovica do vazhdojë t’i mbajë seancat në sallën e Kuvendit Komunal dhe aty do të mbahet edhe seanca e së premtes.

“Ligji e ka paraparë secilin aspekt të organizimit të seancave të Kuvendit tashmë po flasim për Mitrovicën e Veriut, ftesa ka ardhë. Mitrovica e Veriut vazhdon me i mbajtë seancat në sallën e Kuvendit Komunal dhe aty do të jetë edhe seanca e së premtes dhe do jepet betimi i kryetarit dhe në koordinim me kryetarët tjerë do organizojmë edhe seancat tjera”- u shpreh ministri.

Kurse sot, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kërkuar që të mos përdoret forca për t’i siguruar kryetarëve të katër komunave veriore qasje në objektet komunale.

Këtë kërkesë, Hovenier tha se ia ka përcjellë kryeministrit të Kosovës,Albin Kurti në takimin që ka zhvilluar sot me të.

“Unë i kam bërë disa komente dje, ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Në presim që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë një rol teknik, sesa një rol politik, të marrin veprime që nuk shihen si eskalim i tensioneve dhe duam që qeveria t’i mbështes”- tha ai në një deklaratë për media.

“Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë që qasshme në këtë kohë. Ka mënyra për ta bërë këtë duke respektuar kryetarët dhe përgjegjsitë, por të mos krijohet një konflikt i nivelit të tillë “- theksoi ai.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës së Veiut, Erden Atiq ka fituar 553 vota.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Beogradi zyrtar nuk i njeh rezultatet e këtyre zgjedhjeve, dhe ato i ka konsideruar “jodemokratike dhe joligjore”.

Partia e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve. Edhe Beogradi zyrtar e kishte mbështetur bojkotin.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1,567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat në veri patën mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Kryetarët e sapozgjedhur për komunat veriore të Kosovës – të gjithë të partive shqiptare – do të duhet të kryejnë betimin dhe të hyjnë nëpër zyrat e reja, ndonëse ato më parë kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

Atiq pritet të betohet të premten