Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Atiq pritet të betohet të premten
Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendsoje që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, pritet ta jap betimin si kryetar këtë të premte.
Kështu ka deklaruar para gazetarëve ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili tha se Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacion në MAPL se të premten do të organizohet seancë për dhënien e betimit.
“Unë i kam takuar javën e kaluar kryetarët e komunave të zgjedhur në komunat veriore me ta jemi dakorduar që me secilin individualisht në secilën komunë të organizojmë seancën e dhënies së betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar një informacion në MAPL që të premten do të organizohet seanca për dhënien e betimit të kryetarit të komunës së Mitrovicës Veriut”- deklaroi Krasniqi.
Krasniqi tha se Mitrovica do vazhdojë t’i mbajë seancat në sallën e Kuvendit Komunal dhe aty do të mbahet edhe seanca e së premtes.
“Ligji e ka paraparë secilin aspekt të organizimit të seancave të Kuvendit tashmë po flasim për Mitrovicësn e Veriut, ftesa ka ardhë. Mitrovica e Veriut vazhdon me i mbajtë seancat në sallën e Kuvendit Komunal dhe aty do të jetë edhe seanca e së premtes dhe do jepet betimi i kryetarit dhe në koordinim me kryetarët tjerë do organizojmë edhe seancat tjera”- u shpreh ministri.
“Kryetarët kërkojnë që si nivel qëndror t’i mbështesim dhe është në logjikën e normales sepse jem aty për këtë punë”- shtoi ai.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës së Veiut, Erden Atiq ka fituar 553 vota.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.
Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.