SBAShK-u kërkon që fillimi i vitit të ri shkollor të shtyhet për dy javë

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar master-planin e Ministrisë së Arsimit në bazë të së cilës mësimi do të fillojë më 1 shtator.

Në lidhje me këtë vendim, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se viti i ri shkollor duhet të shtyhet të paktën edhe për dy javë të tjera.

“Do të ishte e rrugës që edhe ne ta shtyjmë si shtetet fqinje për disa ditë vitin shkollor. Duhet të fillojmë me vitin shkollor në banka, por data 1 shtator nuk na konvenon, të paktën të shtyhet për dy javë”, ka thënë ai.

Kjo pasi, sipas tij, duhet të bëhen edhe më shumë përgatitje për fillimin e mësimit.

“Nga ajo që kemi dëgjuar nga kryetarët e niveleve komunale dhe me kolegët në shkolla, ne mendojmë se për hir të përgatitjeve sa më të mëdha është dashur të shtyhet edhe për disa ditë viti shkollor, në mënyrë që të vërtetohet se janë bërë të gjitha përgatitjet, sepse nuk janë bërë karshi situatës më COVID-19”, tha Jasharaj.

Jasharaj po ashtu ka kërkuar që të gjithë mësimdhënësit t’i nënshtrohen testeve serologjike për COVID-19.

“Ministri ka thënë se ka teste, por nuk ka as hapësirë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Është dashur që gjithë personeli arsimor që do të angazhohet në shkolla më 1 shtator të jetë I testuar, që të dimë që po dërgojmë mësimdhënës pa COVID. Ne e kemi fjalën për teste serologjike, që do të vërtetonin a e kanë pasur dhe mos e kanë aktualisht sepse edhe mësimdhënësit kanë qenë të prekur dhe janë aktualisht”, tha në fund ai.

Master-plani për fillimin e vitit të ri shkollor u propozua sot në Qeveri nga ana e ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.

Në bazë të këtij plani, hapja e shkollave do të bëhet me 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

“Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator për parashkollorët dhe për klasat 1,2,3 si dhe 6 dhe 9, dhe pastaj për klasat 4 dhe 5 do të fillojë në fazën e dytë 7 shtator, kurse në fazën e tretë më 10 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 10 dhe 11,12, sipas tre skenarëve të paraqitur”, tha Likaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.