Mësimi fillon me 1 shtator, ministri Likaj tregon tri fazat e hapjes së shkollave

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, pas takimit me kryetarët e komunave, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKShPK-në, kanë përgatitur hapjen e shkollave më 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit

“Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator për parashkollorët dhe për klasat 1,2,3 si dhe 6 dhe 9, dhe pastaj për klasat 4 dhe 5 do të fillojë më fazën e dytë 7 shtator, kurse në fazën e tretë më 10 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 10 dhe 11,12, sipas tre skenarëve të paraqitur”, tha Likaj.

Tutje ai shtoi se vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor do ta marrin në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, duke shtuar se mësimi do të filloj në bazë të tre skenarëve të paraqitura nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Ai shtoi se mësimi për disa kategori siç është për kalsat, 7,8,9 dhe 11 mund të jetë mësim i kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë në shtëpi.

“Kemi bërë përgatitjet edhe për mësimin  nga distanca për ta, për shkak të ekspozimit të rrezikut”, shtoi ai.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë. Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube.

Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.