Ilustrim

Lëvizja e numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar në komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës në dekadën e fundit nuk ka pasur lëvizje të mëdha të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar.

Lëvizjet kanë ardhur kryesisht si shkak i shpërnguljes së popullsisë nga zonat rurale në ato urbane, emigrimi dhe nataliteti në rënie.

Në të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) për vitin 2020/21, Prishtina në arsimin parashkollor nga mosha 0-5 vjeç ka pasur 1 mijë e257 nxënës.

Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë ka qenë 29 mijë e 771 nxënës, prej tyre në klasën e parë kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 462 nxënës.

Ndërsa në shkollat e mesme, sipas statistikave të ministrisë, kanë qenë 20 mijë e 20 nxënës.

43 mijë nxënës është në total numri i nxënësve në komunën e Prishtinës në arsimin parauniversitar.

Kurse, në gjithë Kosovën gjatë vitit shkollor 2020/21, në arsimin parauniversitar kanë qenë 223 mijë 908 nxënës.

Në statistikat e vitit 2019/20 në Prishtinë nga klasa e parë deri në të nëntën kanë qenë 29 mijë e 840 nxënës, prej tyre në klasën e parë kanë qenë 3 mijë e 382 nxënës.

Numri i nxënëseve në të gjitha nivelet, përfshirë shkollat e mesme ka qenë 43 mijë nxënës.

Në vitin shkollor 2018/19 kanë qenë 29 mijë e 893 nxënës në shkolla fillore, ndërsa vetëm në klasën e parë kanë qenë 3 mijë e 495 nxënës.

Kurse, në shkolla të mesme ka qenë 10 mijë e 631 nxënës.

Në vitin 2017/18 kanë qenë 30 mijë e 87 nxënës në shkollat fillore, kurse vetëm në klasën e parë kanë qenë 3 mijë e 445 nxënës.

Në shkolla të mesme kanë qenë të regjistruar 11 mijë 159 nxënës.

Kurse, në vitin shkollor 2012/13 në shkollat fillore të Komunës së Prishtinës kanë qenë 32 mijë e 140 nxënës.

Ndërsa, në shkollat e mesme kanë qenë 13 mijë e 400 nxënës.

Në të dhënat e Ministrisë së Arsimit për vitin 2005/06 në Komunën e Prishtinës kanë qenë 32 mijë e 556 nxënës në shkolla fillore.

Derisa, 10 mijë e 382 kanë qenë në shkolla të mesme.

Sipas këtyre statistikave, numri i nxënësve në komunë në arsimin fillor dhe të mesëm gjatë 4 viteve të fundit ka shënuar një rënie të vogël.

Komuna e Prishtinës ka në plan që të ndërtojë edhe katër shkolla të reja në disa lagje të reja të qytetit si “Kalabria”, “Mati 1” dhe “Veternik’ dhe ‘Arbëria’.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti më herët ka deklaruar se nuk ka nevojë të ndërtohen dhjetra shkolla të reja brenda një mandati siç kishte bërë ish-kryetari, Isa Mustafa, pasi numri i nxënësve nuk është duke u rritur.