Nagavci takohet me Jasharajn, flasin edhe për vaksinimin e stafit arsimor

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka zhvilluar vizitë me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë.

Nagavci gjatë kësaj vizite, ka folur rreth zhvillimit të procesit mësimor dhe fillimit të mësimit fizik për klasat nga 1-5.

Ministrja e Arsimit gjithashtu ka thënë se do të angazhohet për fillimin e vaksinimit kundër COVID-19 të punëtorëve arsimor.

“Është biseduar edhe për kërkesën e SBASHK-ut që punëtoret e arsimit të kenë prioritet për vaksinimin. Ministrja është shprehur se do të bëhen gjithë angazhimet dhe të fillohet me vaksinimin e punëtorëve arsimor që kanë më shumë nevojë e pastaj të vazhdohet edhe me gjithë të tjetër varësisht nga arritja e kontingjenteve me vaksina”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka thënë se me fillimin e pandemisë janë shtuar sfidat e punëtorëve të arsimit.

“Ministrja do ta ketë gjithë përkrahjen e punëtorëve të arsimit në angazhimet në shërbim të arsimit me qëllim të arritjeve sa më të mëdha në këto kohë pandemie, kur janë shtuar dukshëm sfidat, të cilat punëtorët e arsimit me angazhime maksimale po i tejkalojnë dhe po dëshmohen me punë e përkushtim”, ka thënë Jasharaj.