SBASHK-u: Kemi presione të vazhdueshme, por greva nuk ndërpritet

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-u ka reaguar pas incidentit në të cilën është përfshirë dje kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj pas një takimi që pati me mësimdhënësit në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë.

Këshilli grevist thotë se presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë.

“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, po përcjell në vazhdimësi tani e 13 ditë rrjedhën e grevës në institucionet arsimore ku ka vërejtur se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut z.Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë e etiketojnë me postime të rrejshme, pastaj përgatitja e tentim sulmit fizik gjatë vizitës së tij që u bëri grevistëve” – thuhet në reagimin e tyre.

“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë – rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve  me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën” – vijon reagimi.

Këshill grevist i SBASHK-ut ka apeluar tek prindërit që të heqin dorë që “ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve”.

Sepse sipas tyre, presioni duhet orientuar drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore.

“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë sonë. Të gjitha këto do ti paraqesim pranë organeve të drejtësisë. Apelojmë te organet e rendit dhe organet tjera që me vëmendje ti përcjellin rastet si ai i djeshmi ndaj kryetarit Jasharaj dhe tentuesit e prishjes se rendit ti vejmë para organeve të drejtësisë, po ashtu edhe nxitësit të cilët me dezinformata të ndryshme nxisin këto sulme” – thuhet në reagimin e Këshillit Qendror Grevist të SBASHK-ut.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj, dje ishte shtyrë nga një person pas një takimi që pati me mësimdhënësit në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë.

Policia njoftoi se ka arrestuar të moshuarin i cili dyshohet se tentoi të sulmojë kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet.

Në raportin e policisë bëhet e ditur se i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).