Sami Lushtaku vazhdon të shpërndajë pako ushqimore me logon e PDK-së

Gjatë ditës së djeshme ish- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kishte publikuar disa fotografi në të cilat tregonte se PDK ka shpërndarë ndihma ushqimore për familjet në nevojë.

E pakot me ushqime kishin të bashkangjitur edhe logon e Partisë Demokratike të Kosovës.

E një veprim të tillë e ka kritikuar kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari e ka quajtur të ulët, jonjerëzor dhe tapafalshëm veprimin e kryetarit të degës së PDK-së, Sami Lushtaku.

Sipas tij, letra me emër të partisë që përfaqëson e vendosur në pako ushqimore tregon “qëllimin dashakeq” të Lushtakut për t’i ndihmuar këto familje.

Gjatë ditës së sotme Lushtaku sërish ka treguar se po vazhdojnë aksionin e shpërndarjes së ndihmave me pako ushqimore e higjienike.

Logoja e PDK-së nuk mungon as në këto pako ushqimore.

“Dega e PDK-së në Skenderaj edhe sot ka vazhduar aksionin e shpërndarjes së ndihmave me pako ushqimore e higjienike nëpër fshatrat e Skenderajt. Aksioni ka vazhduar në Llaushë, Tushilë, Aqarevë, Rakinicë, Kopiliq, Vojnikë, Turiqec, Runik, Qubrel, Kosterrc, Syriganë, Klinë të Epërme dhe do të shtrihet në të gjithë fshatrat e komunës sonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë aksion për të ju gjendur afër qytetarëve që kanë nevojë. Këtë sfidë do ta kalojmë së bashku duke ju qëndruar afër me aq sa kemi mundësi. Ditëve të ardhshme këto familje do të përfitojnë edhe miell”, ka shkruar Lushtaku.

Mirëpo, për dallim nga dje, Lushtaku sot ka mbuluar fytyrat e personave që kanë marrë pakot.