Salih Mustafa sot para Gjykatës së Apelit

Konferenca para Apelit në rastin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, pritet të mbahet sot.

Të enjten mes tjerash do të ftohen palët, mbrojtja e viktimave dhe/ose Zyrën Administrative sipas rastit do të paraqiten parashtresa për paraburgimin e të akuzuarit.

Në këtë seancë gjithashtu do të diskutohet edhe progresi për përkthimin e aktgjykimit në gjuhën shqipe dhe përfundimi i çështjeve tjera që kryetari i trupit gjykues mund të paraqes.

Ish-komandanti “Cali” në dhjetor të viti 2022 nga Gjykata Speciale në Hagë u dënua me 26 vjet burgim.

Lidhur me këtë avokati holandez, Julius Von Boné ka kërkuar prishjen e vendimit në rastin e Salih Mustafës, duke propozuar zëvendësimin me lirim, kthimin e çështjes te trupi gjykues apo ulje të dënimit.

“Mbrojtja kërkon: (a)- ndryshimin e dënimeve për pikat 1,3 dhe 4, të zëvendësohen me: (i) – shfajësimet për çdo akuzë; ose (ii)-një urdhër për kthimin e çështjes në TP; ose (b)-nëse vërtetohen ndonjë/të gjitha dënimet, ulje dënimi”-thuhet në parashtresë.

Me rastin e shqiptimit të dënimit, avokati Von Bone tutje ka theksuar se trupi gjykues ka marrë parasysh vetëm faktorët rëndues duke refuzuar çdo rrethanë lehtësuese në favor të Salih Mustafës.

Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai u gjet fajtor për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Mustafa është arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas Prokurorisë, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Zhvillimet Procedurale

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Palët i dorëzuan (si konfidenciale) versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 (Zyra e Prokurorit të Specializuar) dhe më 6 maj 2021 (Mbrojtja).

Më 30 prill 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori vendimin e parë mbi kërkesat e viktimave.

Më 7 Maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.

Më 21 maj 2021, Trupi Gjykues nxori vendimin e dytë mbi kërkesat e viktimave. Trupi Gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar. Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave. Më 4 shkurt 2022, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Konferenca përgatitore e Mbrojtjes dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave u mbajtën më 8 dhe 9 mars 2022.

Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 22 mars 2022, paraprirë prej paraqitjes së provave nga mbrojtësja e viktimave, më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.

Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundërprovat e veta duke thirrur një dëshmitar dhe duke ofruar prova dokumentare shtesë.

Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues paraqiti prova shtesë, në bazë të rregullës 132 të Rregullores, gjegjësisht dy raporte ekspertësh lidhur me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të disa viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022. Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.