Në Apel mbrojtja e Salih Mustafës kërkon lirimin e tij, rigjykimin apo uljen e dënimit

Avokati holandez, Julius Von Boné ka kërkuar prishjen e vendimit në rastin e Salih Mustafës, duke propozuar zëvendësimin me lirim, kthimin e çështjes te trupi gjykues apo ulje të dënimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në dhjetor të viti 2022, në shkallë të parë është dënuar me 26 vjet burgim.

Ai u gjet fajtor për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Përmes një parashtrese në shkallë të dytë, avokati i Salih Mustafës ka apeluar vendimin e marrë.

“Mbrojtja kërkon: (a)- ndryshimin e dënimeve për pikat 1,3 dhe 4, të zëvendësohen me: (i) – shfajësimet për çdo akuzë; ose (ii)-një urdhër për kthimin e çështjes në TP; ose (b)-nëse vërtetohen ndonjë/të gjitha dënimet, ulje dënimi”-thuhet në parashtresë.

Avokati Von Boné në vijim ka paraqitur edhe  gabimet që sipas tij janë bërë nga trupi gjykues në shkallë të parë.

Sipas mbrojtjes, trupi gjykues nuk e ka zbatuar apo gabimisht ka zbatuar parimin lex mitior, duke shkelur të drejtat kushtetuese.

“Trupi gjykues ka gabuar në zbatimin e nenit 44 të ligjit, duke çuar në shkeljen e garancive kushtetuese nga neni 33 (2) të Kushtetutës së Kosovës; Trupi gjykues gaboi duke e interpretuar dispozitën e nenit 44 të ligjit në mënyrë të tillë duke injoruar natyrën e saj antikushtetuese në kundërshtim me nenin 33 (2) të Kushtetutës”-thuhet në parashtresë.

Lidhur me këtë, avokati Julius Von Boné ka propozuar që Gjykata e Apelit t’i referohet vlerësimit kushtetues sipas kushtetutshmërisë.

Tutje mbrojtja ka paraqitur gabime në moszbatimin e praktikës së dënimit sipas ligjit të ish-Jugosllavisë (jo vetëm dispozitat e KKSFJ-së).

Sipas avokatit, trupi gjykues po ashtu  gaboi duke mos marrë parasysh gamën e dënimeve të shqiptuara ndaj personave të dënuar për vepra të ngjashme në gjykatat/tribunalet e tjera të Kosovës dhe ndërkombëtare.

Me rastin e shqiptimit të dënimit, avokati Von Bone ka thesuar se trupi gjykues ka marrë parasysh vetëm faktorët rëndues duke refuzuar çdo rrethanë lehtësuese në favor të Salih Mustafës.

Dënimin e Salih Mustfës avokati e ka quajtur si të lartë.

“Në përgjithësi duke shqiptuar një dënim prej 26 vitesh burgim, i cili ishte kapriçioz dhe haptazi i tepruar në të gjitha rrethanat”- ka përfunduar parashtresën avokati.

Ish-komandant “Cali” është arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Nga shkalla e parë ai u dënua me 26 vjet burg nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Sipas Prokurorisë në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas akuzës, ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij, Salih Mustafa nuk e kishte pranuar fajësinë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.