Rusia e ka shpallur fitoren në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk

Sot është dita e 132 e luftës në Ukrainë. Zhvillimet e fundit nga dhe në Ukrainë janë si në vijim:

Rusia e ka shpallur fitoren në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk, një ditë pasi forcat ukrainase u tërhoqën nga bastioni i tyre i fundit i mbetur në këtë provincë. Të hënën, ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu, i tha Putinit se “operacioni” në Luhansk ishte i përfunduar. Presidenti rus tha se njësitë ushtarake “që morën pjesë në armiqësi aktive dhe arritën sukses, fitore” në Luhansk “duhet të pushojnë, t’i rrisin aftësitë e tyre luftarake”.

Ukraina ka paraqitur një “plan rimëkëmbjeje” prej 750 miliardë dollarësh për të ardhmen e saj të pasluftës gjatë Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës të organizuar nga Zvicra të hënën. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se detyra e përbashkët e të gjithë botës demokratike ishte ta përcaktojë një të ardhme fizike për Ukrainën në rast se ajo mbijeton si një komb i përballur me perëndimin pas pushtimit rus.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se një burim kyç financimi për planin e rimëkëmbjes duhet të jenë asetet e konfiskuara nga oligarkët rusë. Plani i rimëkëmbjes së Ukrainës deri më tani ka tri faza: e para e fokusuar në rregullimin e gjërave që kanë rëndësi për jetën e përditshme të njerëzve, si furnizimi me ujë, i cili është në vazhdim; një komponent i dytë i “rimëkëmbjes së shpejtë” që do të nisë sapo të përfundojnë luftimet, duke përfshirë projektet e strehimit të përkohshëm, spitaleve dhe shkollave; dhe një e treta që synon ta transformojë vendin në një afat më të gjatë.

Forcat ukrainase do ta ngrenë flamurin e vendit në ishullin e gjarpërinjve, një postë strategjike dhe simbolike në Detin e Zi nga e cila trupat ruse u tërhoqën javën e kaluar pas muajsh bombardimesh të rënda. Ushtria e Ukrainës më herët deklaroi se flamuri kombëtar ishte kthyer në ishull pak para orës 23:00 të së hënës. Megjithatë, Natalia Humeniuk, zëdhënëse e komandës ushtarake jugore të Ukrainës, konfirmoi më vonë në një intervistë me CNN: “Flamuri u dorëzua në ishull me helikopter. Do ta presë ardhjen e trupave, pastaj do të valvitet”.

Një shtetas britanik, i cili është dënuar me vdekje nga një gjykatë ruse në lindje të Ukrainës, ka nisur një apel kundër vendimit. Aiden Aslin, 28 vjeç, një ish-punonjës kujdesi britanik-ukrainas nga Nottinghamshire, i cili ishte një marinar ukrainas, u kap nga forcat ruse në qytetin e rrethuar të Mariupolit në prill.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka thënë se rrugët alternative për ta tërhequr drithin e ngecur në Ukrainë do të duhet të shikohen, duke përfshirë përmes lumit Danub të Evropës, nëse nuk mund të lëvizet përmes ngushticës së Bosforit në Turqi. “Turqit janë absolutisht të domosdoshëm për ta zgjidhur këtë. Ata po bëjnë më të mirën e tyre… Ne do të duhet të shikojmë gjithnjë e më shumë mënyra alternative për ta lëvizur atë drith nga Ukraina nëse nuk mund ta përdorim rrugën detare, nëse nuk mund ta përdorim Bosforin,” i tha ai parlamentit të hënën.

Turqia e ka ndalur një anije mallrash me flamur rus në brigjet e saj të Detit të Zi dhe po heton një pretendim ukrainas se po transportonte grurë të vjedhur, tha të hënën një zyrtar i lartë turk.

Ukraina po zhvillon bisedime me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar garanci për eksportet e grurit nga portet ukrainase, tha Zelenskiy. “Bisedimet në fakt po vazhdojnë tani me Turqinë dhe OKB-në [dhe] përfaqësuesit tanë që janë përgjegjës për sigurinë e grurit që largohet nga portet tona”, tha presidenti i Ukrainës në një konferencë për media së bashku me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson.

Ukraina e ka rinovuar ftesën e saj për Papa Françeskun për ta vizituar vendin dhe i ka kërkuar Papës që të vazhdojë të lutet për popullin ukrainas, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme.

Të dërguarit perëndimorë në Kinë e kanë kritikuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë, me ambasadorin amerikan që tha se Kina nuk duhet ta përhapë “propagandën” ruse, gjatë një forumi të pazakontë publik në një vend që ka refuzuar të dënojë sulmin e Moskës.

Raketat ruse goditën një shkollë të mesme në distriktin Kharkiv në orën 4 të mëngjesit të së hënës, sipas një raporti nga Oleh Synyehubov, guvernatori i rajonit.

Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut ka pohuar se në 24 orët e fundit forcat ukrainase kanë granatuar 15 nga 240 vendbanimet që ata thonë se kontrollojnë. Ata pretendojnë se “pesë persona u vranë dhe 20 civilë të tjerë u plagosën”.

Britania po propozon një ligj të ri që do t’u kërkojë kompanive të mediave sociale t’i trajtojnë në mënyrë proaktive dezinformatat e postuara nga shtete të huaja si Rusia. Ligji do t’i trajtonte llogaritë e rreme në platforma të tilla si Facebook dhe Twitter, të cilat u krijuan në emër të shteteve të huaja për të ndikuar në zgjedhje ose procese gjyqësore, tha qeveria në një njoftim të hënën./The Gaurdian

Përgatiti: Nuhi Shala