Rrugëtimi i Kompanisë "Pestova": pas shkatërrimit nga lufta nisi nga zeroja dhe sot numëron 250 punëtorë - VIDEO

Kompania vendore “Pestova”, e themeluar si biznes në vitin 1991, e cila veprimtari kryesore kishte prodhimin e patates, sot është kthyer si Kompania më e suksesshme në Kosovë për përpunimin e patates.

Si shumicën e bizneseve lufta në Kosovë e ktheu nga zero edhe Kompaninë “Pestova”, mirëpo përkushtimi ndaj punës nuk e ndaloi Kompaninë të nisë edhe njëherë gjithçka nga fillimi.

Në historinë e Kompanisë “Pestova” – pjesë e cilës është “Vipa Chips” – viti 2004 shënon një pikë kthesë për Kompaninë, pasi që po këtë vit filloi për herë të parë përpunimi i patateve në çipsa.

Madje, përfaqësuesi i Kompanisë “Vipa Chips, Agran Halimi, kujton kapacitetin e prodhimit që ka qenë në fillim dhe për sfidat më të cilat është ballafaquar Kompania, të cilat ishin jo të lehta.

“Në 2004 kemi fillu në procesin e përpunimit të patates, me një kapacitet 50 kg në orë, d.m.th. më shumë sfida, me shumë probleme, por dalëngadalë duke u rritë.” – tha Halimi.

Avancimi dhe zhvillimi i Kompanisë “Pestova”, më pas ka qenë i vazhdueshëm, ndërsa këtë rritje më së miri e dëshmon përpunimi i rreth 50 mijë kilogramë patate në ditë në fabrikën “Vipa Chips”.

Pjesë e zhvillimit të Kompanisë “Pestova” është edhe ndjekja e trendeve të aparaturave të fundit teknologjike për përpunimin e patateve. Linja e re e prodhimit në fabrikën “Vipa Chips” është funksionalizuar në vitin e kaluar, e cila sipas përfaqësuesit të Kompanisë “Pestova” është e vetmja në regjion.

“Sot ne shpenzojmë diku 50 tonë, lëndë të parë për 24 orë, punohet pesë ditë të javës, d.m.th. nga e hëna deri të premten në tri turne (ndërrime). Kapaciteti arrin nga 700 deri në 1000 mijë kilogram në orë, produkt final.” – tha Halimi derisa foli për pjesën e prodhimit.

Gjithë ky sukses me intensitetin e madh të punës arrihet falë punës se 250 punonjësve, sa aktualisht numëron Kompania “Pestova”.

“Vipa Chips” me produktet e saj mbulon rreth 70% të tregut vendor në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër, rreth 30% e produkteve, eksportohet jashtë vendi.

Eksportimi i produkteve të Vipa Chipsit ka bërë që produktet e Kosovës të jenë prezent në pothuajse të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.

“Duke fillu prej regjionit në Shqipëri, Maqedoni; jemi në Bullgari, Kroaci, Slloveni, Hungari, Austri, Gjermani, Francë, Suedi, Finlandë, Norvegji, d.m.th. gjithkund në pjesën, brenda Bashkimit Evropian.” -thotë Agran Halimi nga Kompania “Pestova”, derisa tregoi se në planet e Kompanisë është rritja e vazhdueshme në eksport.

Kompania “Pestova”, për të siguruar produkte cilësore, ka krijuar kushte të favorshme në depot ku ruhen patatet gjatë gjithë vitit dhe të tilla depo i ka tetë gjithsej.

Në këto depo në të cilat ruhen patatet nga muaji nëntor deri në qershor gjatë 24 orëve bëhet përcjellja e parametrave të nevojshëm për ruajtjen e patates.

Ndërsa, ajo çka i bënë të jenë të veçanta produktet e “Vipa Chips”, për dallim me ato që importohen në Kosovë “është se këtu e dimë që është prodhuar në tokat tona, janë shfrytëzuar burimet ujore nga tokat tona, është punuar nga punëtorët tanë dhe përpunohet në Kosovë, d.m.th. i gjithë cikli është brenda Kosovës.” – thotë Halimi.

Synimi i Kompanisë “Pestova” për të ardhmen është rritja e prodhimit – duke rritur kështu edhe numrin e eksportit dhe të punëtorëve në prodhim.