Rrahman Jasharaj përmend padinë ndaj ministrit Murati

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka folur në lidhje me grevën e përgjithshme që ka filluar nga 25 gushti.

Në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt sot nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Jasharaj ka thënë se është duke u mbrojtur vullneti i grevistëve dhe se nëse nuk ka ndonjë hap nga ana e qeverisë, atëherë greva do të jetë më e fuqishme në shtator.

“Sot ju drejtohemi grevistëve dhe popullit, sa i takon grevës jemi duke vizituar komuna duke parë nga afër gjendjen. Ne po mbrojmë vullnetin e grevistëve dhe greva do vazhdojë deri sa të donë ata. Greva do të jetë më e fuqishme me një shtator. 1 shtatori nëse vazhdohet kështu me tekat e Qeverisë, fëmijët do t’i gjej në shtëpi” – ka shtuar ai.

Jasharaj ka përmendur edhe opsionin për padinë ndaj ministrit Hekuran Murati në lidhje me deklaratën që u bë javën e kaluar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, të cilët paralajmëruan pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.

“E  kemi diskutuar padinë, edhe gjatë ditës së sotme do të diskutojmë se cka do të bëjmë. Adresa e saktë e kësaj është e qartë, ministri Hekuran Murati” – ka thënë Jashari, i cili ka shtuar se duket sikur ministri Hekuran Murati nuk e ka lexuar Ligjin për greva.

“Hekuran Murati si duket nga krenaria dhe krekosja nuk e ka lexuar Ligjin për greva. Po ta kishin dhimbjen se fëmijët po mbesin në shtëpi dhe se qytetarët po mbesin pa i kryer punët në administratë, Qeveria dhe Murati nuk do të vepronin kështu” – ka thënë Jasharaj.

Ai ka shtuar se në të kaluarën nuk kanë pasur asnjëherë deklarata kërcënuese dhe se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore që kërkesat e tyre të mos ngulfaten.

“Do të insistoj që të përgatitet lënda dhe adresa dihet, që do të drejtohet tek Hekuran Murati. Kërcënimi i tij ka pasur qëllim që ta frikësoj dikë dhe ta ngulfatë grevën. I kujtoj Muratit që është i ri dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë, asnjë deklaratë nuk ka qenë kërcënuese në të kaluarën por vetëm ka pasur kërkesa për dialog”.

“Ne do të qëndrojmë, ju besojmë juve dhe do të qëndrojmë deri sa të përmbushen kërkesat tona. SBASHKU dhe BSPK do të përdorin të gjitha mundësitë ligjore që të mbrojmë të mos na ngulfatet zëri. Si kryetar i SBASHK do të insistoj që BSPK të ngris lëndën, adresa është tek Hekuran Murati” – ka vijuar Jasharaj.

Në anën tjetër, Ali Gashi, kryetar i Këshillit Drejtues të BSPK-së e ka thënë se kanë presion nga qeveria dhe këtë gjë e ka cilësuar si të papranueshme.

“Presioni është i papranueshëm. Kjo dëshmon që Qeveria nuk ka qenë asnjëherë për kërkesat e Sindikatave. Apeloj të gjithë zyrtarët publik të cilëve dje ju ka shkuar një email, të mos nënshkruajnë asgjë. Mos bini pre e kërcënimeve sepse greva është e drejtë legjitime” – tha ai.

Ai tutje i ka bërë thirrje qeverisë që të ulet dhe të dialogojë me sindikalistët.

“Tendenca për të frikësuar dhe mbyllur gojës sindikatës është diçka shokuese. Të gjithë grevistët mos të bien pre dhe mos të nënshkruajnë lista dhe Qeveria që t’i referohet saktë ligjit që tregon çka bëjnë saktë këto lista. Ne si Këshill i bëjmë thirrje Qeverisë që të ulemi (dhe të dialogojmë)” – është shprehur Gashi duke shtuar se Qeveria duhet t’i shoh si partnerë sindikatat dhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve.