Prapa grilave - Ilustrim

Rrahja për parking, gjykata vendos për të dyshuarin

Gjykata e Prizrenit ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit F. M., i cili shkaku i mosmarrëveshjeve rreth parkingut nëntokësor të banesës, dyshohet se ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin.

Sipas njoftimit, ngjarja kishte ndodhur me datë 9 shkurt 2022, kur i pandehuri kishte kërkuar nga i dëmtuari që ta largojë veturën nga rruga dhe më pas e kishte sulmuar.

“I pandehuri F. M., i bie borisë së veturës për t’ia liruar rrugën, i dëmtuari ia bën me dorë duke i thënë “prit 1 minutë se nuk bëhet nami”, atëherë i pandehuri F. M., e shanë të dëmtuarin me fjalët “A e din kush jam unë”, del nga vetura e tij dhe e godet  me shuplak”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Tutje, sqarohet se pas sulmit i dëmtuari largohet me veturën e tij në Nashec ku pas tij e ndjek i pandehuri i cili pasi e mbërrin të dëmtuarin, e nxjerr pistoletën me gaz “WOLTAR PROFESIONAL” Mod.92, cal 9mm, dhe ia drejton të dëmtuarit në mënyrë kërcënuese, me ç’ rast i shkakton frikë.

Masa e paraburgimit nën dyshimin e veprave penale armëmbajtje pa leje, sulmi dhe kanosja do të llogaritet nga data 9 shkurt dhe mund të vlejë deri më 9 mars 2022.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se veprat penale janë kryer në ambient publik, në prezencë të shumë qytetarëve në orët e pasdites.  Kurse, veprën penale të kanosjes dyshohet ta ketë kryer me armën e lartcekur në prezencë të bashkëshortes së viktimës duke i krijuar shqetësim dhe frikë.