Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani - Foto: Kuvendi i Kosovës

Rishikimi i buxhetit, Vjosa Osmani procedon amendament për maska falas për qytetarët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kritikoi Qeverinë lidhur me situatën me pandeminë, duke përmendur edhe faktin që projektligji për lufimin e pandemisë nuk mori mendim pozitiv nga Qeveria dhe nuk mori përkrahjen e Kuvendit për t’u shqyrtuar në procedurë të shpejtë.

Osmani shtoi se ka votuar për rishikimin e buxhetit për shkak të përgjegjësisë që ka ndjerë për shkak të situatës.

Ajo shtoi se mbi të gjitha ka votuar që projektligji të largohet nga Qeveria dhe të vijë në Kuvend.

“Kjo ka qenë arsyeja themelore sepse ka nevojë për një rishikim substancial brenda Kuvendit, ka nevojë për ndryshime substanciale dhe ka nevojë që vërejtjet që u dhanë këtu të merren parasysh”, deklaroi Osmani sonte në seancën e Kuvendit.

Kryeparlamnetarja tha se janë disa parakushte që të kalojë në tërësi projektligjin për rishikimin e buxhetit.

“Parakushti i parë është kalimi i Ligjit anti-Covid. Pa u krijuar baza ligjore ne nuk mund të sigurohemi që po ndahet buxhet për masa të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën”, tha ajo.

Osmani tha se sot ka proceduar amendament  në ligjin për rishikim buxhetor që të përfshihet buxheti për shpërndarjen e maskave shumëpërdorimëshe falas për qytetarët mbi moshën 6 vjeçare.

“Fjala është për maska qe përdorën më shumë se një herë. Në tregun tonë ato tek prodhuesit vendor ato kushtojnë përafërisht 1 euro që do të thotë në total buxheti i propozuar është 3 milionë euro”, tha ajo.

Sipas Osmanit ky buxhet mund të merret nga “paratë e luksit që janë ndarë për disa institucione që po tentojnë t’i ndryshojnë mobiljet, të blejnë telefona e laptopa e vetura”.

Kryeparlamentrja bëri të ditur se në mëngjes do të procedojë edhe një tjetër amandament për vaksinën që sipas saj në shumë shtete është e domosdoshme për procesin e imunizimit për personat  mbi 65 vjeç dhe atyre që kanë problem me mushkëri.

Me 67 vota për, 1 abstenim Kuvendi sot e ka miratuar në lexim të parë rishikimin e buxhetit, përkatësisht plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.