Mimoza Kusari Lila dhe Emin Lati

‘Atë duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë’ – Deklarata që e solli në Gjykatë akuzuarin për kanosje ndaj Mimoza Kusarit

Fjalët që i kishte thënë në një emision televiziv më 14.07.2023, e sollën para Gjykatës, të akuzuari Emin Lati për t’u ballafaquar me deputeten Miomza Kusari Lilaj për kanosje dhe për nxitje të përçarjes.

“Jena ligë na veteranët, se ata duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë” – kishte thënë Lati në televizionin “T7”, për çka Prokuroria e ka akuzuar për dy vepra penale.

Pasi prokuroria nuk ia kishte dorëzuar shkresat e lëndës, palëve në procedurë, seanca e sotme nuk arriti të mbahet.

Avokati i të akuzuarit, Emin Latif, Agon Rrecaj konfirmoi para gjykatës që nuk ka pranuar shkresat e tjera të lëndës pos aktakuzës.

Kurse avokat Mimoza Kusari Lilës, Driton Musliu tha se prokuroria nuk ua ka dorëzuar as aktakuzën.

Në këto rrethana, gjyqtari Driton Berisha obligoi prokuroren, Rukije Sheshivari që t’i pajisë me shkresa të lëndës palët në procedurë.

Sipas aktakuzës së datës 11.01.2024 që ka ngritur prokuroria, Emin Lati akuzohet për kanosje dhe nxitje të përçarjes ndaj deputetes të Kuvendit të Kosovë Mimoza Kusari Lila.

Sipas prokurorisë, i akuzuari me datë 14.07.2023 në emisionin “Frontal” në televizionin “T7” e ka kanosur deputeten Kusari Lila me fjalët “Jena ligë na veteranët, se ata duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë”.

Sipas prokurorisë, në këtë rast janë konsumuar elementet e veprës penale të Kanosjes.

Në diapozitivin dy të aktakuzës, për veprimet e njëjta të datës 14.07.2023, Lati akuzohet se ka kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes.

Çka kishte deklaruar Kusari- Lilaj në Prokurori lidhur me kanosjen?

Kusari- Lilaj në deklaratën në prokurori kishte thënë se nuk e njeh personin në fjalë, duke shtuar se për herë të parë ka dëgjuar për të, në atë emision.

Sipas deklarimit të deputetes Kusari-Lila, kjo ka qenë një periudhë mjaft sfiduese në aspektin e sigurisë personale dhe të familjes.

“Jam ndjerë e kërcënuar dhe e abuzuar nga deklarata në fjalë” – kishte deklaruar në prokurori Mimoza Kusari- Lila.

Çka tha i akuzuari në Prokurori?

Sipas deklaratës së dhënë në polici, Latifi kishte deklaruar se i vjen keq për gjuhën që ka përdorur pasi që nuk është në edukatën e tij të flas kështu.

“Pasi e dëgjova intervistën time të dhënë në emisionin “7”, të prezantuar nga ju, pasi që më herët nuk e kisha dëgjuar, i dëgjova fjalët e të cilat i kamë thënë, sinqerisht mua më vjen keq për shprehjet të cilat i kam përdorur sepse nuk është në edukatën time e as të familjes të deklarohem ashtu për dikë, e aq më pak për një femër”- kishte thënë në polici, tashmë i akuzuari.

I njëjti tutje kishte thënë se e ka takuar deputeten Kusari- Lila në shumë raste, por asnjëherë nuk i ka shkuar mendja të dëmtoj të njëjtën.