Rexhaj: Një javë pushim, jo mësim online

Në emisionin ‘Kallxo Pernime’ zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka treguar se a do të mbajnë pushim njëjavor institucionet arsimore parauniversitare.

“Prej të hënës pushohet një javë ditë. Në fund të javës vlerësohet se a do të pushojmë edhe një javë. Nëse nuk janë trendet e mira (zvogëlim i numrit të rasteve të infektuara) shkojmë edhe një javë pushim”, ka thënë Rexhaj.

Gjatë javës në të cilën nxënësit dhe mësimdhënësit janë në pushim, MASh-i do të analizojë gjendjen me pandeminë dhe do të marrë vendim për zhvillimin e mësimit.

“Propozuam një javë pushim. Gjatë kësaj jave Ministria në njërën anë bën vlerësim më të mirë të kushteve që i kemi se si ne të vazhdojmë më tutje, kjo do të thotë që pushohet, as mësim online as diçka tjetër”, ka shtuar Rexhaj.

Gjithashtu zëvendësministri ka treguar se si do të zëvendësohen orët e humbura të mësimit.

“Shtyhet viti dhe zëvendësohet të shtunëve dhe do të organizojmë  shkollë verore me nxënësit që kanë nevojë për atë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka treguar se e gjithë kjo ka ardhur nga raporti i IKShKP-së për gjendjen me pandeminë në Kosovë.

“Pika e nisjes është një raport i gjendjes epidemiologjike nga ana e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës i bërë ditët e fundit, i cili thotë se ka rritje të normës se shkallës së infektimit në shkallë vendore dhe një fushën e arsimit kemi një rritje joalarmante të përqindjes së rasteve që po na dalin tek nxënësit dhe mësimdhënësit”, ka thënë Rexhaj.

Sot MASh-i ka mbajtur një takim konsultativ me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë, Sindikatën e Bashkuar të Arsimi në Kosovë dhe Këshillin e Prindërve, në të cilin kanë diskutuar mundësinë e pushimit njëjavor për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke filluar nga data 22 mars, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë.

Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër propozimeve të Ministrisë së Arsimit për pushim njëjavor dhe mundësisë së fillimit të mësimit online.

Numri total i rasteve pozitive është 78.380 raste nga 362.186 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.723 raste të vdekjes në vend.